Partia Demokratike nuk e ka lënë me aq akuzën ndaj Kryeministrit Rama. Ata këmbëngulin se kryeministri ka udhëtuar drejt Parisit me charter personal.
Më tej në deklaratë theksohet se Rama ka shpenzuar 100 mijë euro me avionin privat dhe për këtë udhëtim duhet të japë llogari.
“E turpshme është që Edi Rama të harxhojë me mijëra euro për luksin personal, kur shqiptarët i ka lënë në pikë të hallit. E turpshme është që Edi Rama te udhëtojë si hajdut me charter personal dhe ta mbajë të fshehtë arsyen.
E turpshme është të justifikosh luksin dhe vjedhjen e Ramës, duke akuzuar opozitën që zbuloi të vërtetën e udhëtimit në fundjavë prej 100 mijë euro me avion privat. Edi Rama nuk mund të fshihet. Ai ka udhëtuar me avion privat në fundjavë në Francë. Pse?”, shkruhet në deklaratë.
Më herët reagoi dhe këshilltari i Kryeministrit Edi Rama, Endri Fuga, i cili është shprehur se udhëtimi ka qenë për arsye pune.
“E turpshme akuza për udhëtimin 24orësh të KM në Paris me avionin, që siç e kemi sqaruar publikisht, përdoret veç për arsye pune, bazuar në një marrëveshje të posaçme me AIR ALBANIA pa qëllim fitimi. Ata që akuzojnë mesa duket vetëm këto që shpifin për ne kanë bërë kur qeverisnin!”, shkruan Fuga.