Vjosa Osmani flet për fotografinë e Hashim Thaçit: Lëvizja e fotos ishte e ligjshme

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se lëvizja në zyrën e saj e fotografisë së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është e ligjshme dhe se ajo e konsideron atë çështje të mbyllur.

Ajo ka folur kështu në RTK.“Kjo (lëvizja e fotografisë v.j.) është e ligjshme dhe me kaq mbyllet kjo temë. Bojkoti i tyre (i PDK-së v.j.) ka filluar më 3 shkurt. Është vendim i mëhershëm, ditën kur është votuar qeveria. Unë mendoj që roli i opozitës është i rëndësishëm për demokracinë tonë. Shpresoj që ata t’i kthehen Kuvendit”, ka thënë Osmani.

Kurse, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për herë të parë për vendimin e Vjosa Osmanit për zhvendosjen e fotografisë së tij nga zyra e kryetares së Kuvendit të Kosovës.

Thaçi ka thënë në emisionin “A Show”, në televizionin T7, se nuk ka “ndjesi private, personale, në asnjë rrethanë” rreth veprimit të Osmanit.“Sjellja e kryetares së Kuvendit duhet të jetë në raport me institucionet dhe me ligjin”, ka shtuar presidenti.

Thaçi ka thënë se “të gjithë duhet të jemi shembull të sjelljes institucionale, dhe jo të sjelljeve të inateve politike, apo sjelljeve artificiale, me pretendim elektoral”.

“Njeriu kur e merr përgjegjësinë institucionale, shtetërore, prioritet e ka respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve”, ka theksuar Thaçi.“Nuk dëshiroj të merrem me personin në fjalë. Më së paku sjellja joinstitucionale i takon partisë që ajo i takon, dhe filozofisë së presidentit Ibrahim Rugova”, është shprehur ai.


Shtuar 7.02.2020 21:13