Vitia: Të hënën qytetarët lëvizin nga 3 orë në ditë – në dy orare

Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia, ka mbajtur sot një konferencë për medie rreth masave të reja për menaxhimin e përhapjes së koronavirusit.

Ai ka bërë të ditur se nga e hëna (4 maj, 2020) do të zgjerohet koha e lirimit të lëvizjes së qytetarëve, nga 90 minuta në ditë, në tre orë në dy orare (para dhe pas dite), njofton Klan Kosova.

“Në koordinim me aktorët vendorë dhe ndërkombëtarë kemi vendosur për hapjen e ekonomisë dhe heqjen e kufizimeve ta bëjmë në tre faza: Do të fillojë nga data 4 maj dhe do të vazhdojë deri më 13 maj. Do të zgjerohet orari i lëvizjeve në 3 orë – në dy orare – para dhe pas dite”.

“Hapen këto pjesë të ekonomisë: ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve, riparimi i artikujve personal, zyrat e konsulencës. Oraret do të publikohen menjëherë pas kësaj konference”.

“Faza e dytë, nga data 18 maj deri më 1 qershor, do të lirohen masat, por kjo do të varet nga rekomandimet e IKSHPK-së. Duhet ta kemi parasysh që kalimi nga faza e parë në të dytën ose anasjelltas varet nga të gjithë ne”.

“Nëse nuk kemi rritje të rasteve, atëherë natyrisht se do të ecim përpara. Por, nëse përkeqësohet gjendja, do të kthehemi mbrapa”.


Shtuar 30.04.2020 14:01