Tragjedi në skuadrën e Arbër Zenelit, mjeku vret veten pasi u infektua me COVID-19

Një ngjarje e rëndë godet futbollin francez, më saktësisht skuadrën e Reims ku luan futbollisti i Kosovës, Arbër Zeneli.

Mjeku i kësaj skuadre ka vrarë veten në gjendje të rënduar psikologjike pasi është infektuar nga koronavirusi.

Bernard Gonzalez, mjeku i klubit, është gjetur i vdekur në banesën e tij dhe të gjitha pistat çojnë te vetëvrasja, pasi prej disa ditësh ishte i izoluar bashkë me gruan e tij meqë ishte i infektuar nga virusi i rrezikshëm. Kryetari i bashkisë së qytetit ka konfirmuar gjithçka për “Le Parisien”, ndërsa pritet edhe komunikimi zyrtar nga Reims rreth tragjedisë që goditi klubin.

“Ai ishte një njeri shumë i përkushtuar, një njeri i këndshëm. E di që ka lënë një letër ku shpjegon arsyet e vendimit të tij. Por nuk jam në dijeni të asaj që shkruan”, shpjegoi kryetari i bashkisë për gazetën franceze. Askush në klub nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur derisa lajmi u publikua nga autoritetet lokale franceze.


Shtuar 5.04.2020 20:00