Kurti-Ramës për ndalimin e Abazit : Uroj të mos jetë hakmarrje për prishjen e pazareve me Vuçiç

Si rrallëherë, Kurti ka hedhur akuza të koduara kundrejt Ramës dhe marrëdhënies së tij me Vuçiç.

Lëvizja “Vetëvendosje” ka kërkuar nga organet e drejtësisë në Shqipëri që ta lirojnë sa më parë aktivistin e tyre nga Tirana, Boiken Abazi.

Sipas LVV-së, me ndalimin e Abazit shpresojmë të mos jetë hakmarrje e ndonjë idhnaku që mban inat për prishjen e pazareve me Vuçiçin.

“Vuçiçi mund të jetë mik individual i dikujt, por ai nuk mund të jetë kurrë mik i shqiptarëve, për shkak të historisë e politikës që ai përfaqëson”, thuhet në komunikatë.

Postimi i plotë:

Lironi mbrojtësit e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë. Edhe sot po vazhdojnë të mbahen të burgosur disa nga protestuesit që kundërshtuan rrënimin e Teatrit Kombëtar nga Qeveria dhe Bashkia në Tiranë, mes tyre dhe Drejtori Ekzekutiv i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri Boiken Abazi.

Boiken Abazi përveç kontributit të tij si aktivist i rëndësishëm për Lëvizjen VETËVENDOSJE! shquhet edhe si qytetar i kulturuar e intelektual i angazhuar. Ndalimi i tij shpresojmë të mos jetë hakmarrje e ndonjë idhnaku që mban inat për prishjen e pazareve me Vuçiqin. Vuçiqi mund të jetë mik individual i dikujt, por ai nuk mund të jetë kurrë mik i shqiptarëve, për shkak të historisë e politikës që ai përfaqëson.

Ndërtesa e Teatrit ishte vlerë e dashur për qytetarët, shkatërrimi i saj ishte barbari e paqytetëruar. Protestuesit ishin paqësorë, prishja e Teatrit ishte brutale. Ata po mbahen pa arsyetim dhe me urdhër të prerë politik. Përgjegjësit politikë atje duket qartazi se po dëshirojnë ta bllokojnë shprehjen qytetare në formë proteste dhe pjesëmarrjen publike me argumente në kundërshtimin e rrënimit të Teatrit Kombëtar. Mirëpo çdo përpjekje për ta ndaluar protestën qytetare me burgosje është e dëshmuar që vetëm e rrit protestën dhe rezistencën.

Kërkojmë nga organet e drejtësisë së Republikës së Shqipërisë që të ruajnë integritetin duke mos e vijuar më tej këtë burgim politik të protestuesve si dhe të nisin hetimet për rrënuesit e Teatrit Kombëtar dhe ata që ushtruan dhunë mbi protestuesit, për shkelësit e vërtetë të Kushtetutës të ligjeve në fuqi, e të procedurave demokratike dhe transparencës, sa i përket vendimmarrjes.

Duket sikur demokracia mezi po mbahet në Shqipëri. Por demokracia është aftësia e qytetarëve për t’i befasuar pushtetarët, e nuk është spektakli i propagandës së pushtetit, që ua ledhaton mjekrat atyre. Ata që kanë besuar se pushteti i tyre është i pakufishëm, dhe se mund të shkelin e të përjashtojnë grupet shoqërore duke i etiketuar si pakica, përfundojnë të zhgënjyer. Duhet liruar Boiken Abazi, duhen liruar protestuesit dhe të mbahen përgjegjës rrënuesit, që të mos rrënohet e gjitha. Prishtinë, 20 maj, 2020


Shtuar 20.05.2020 08:34