Kosova porosit 7,000 teste për koronavirus

Shtatëmijë teste për koronavirus janë porositur nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës dhe ato pritet të arrijnë në Kosovë brenda pak ditësh, thanë zyrtarë të këtij institucioni.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim në këtë ministri, tha se ofertuese e testeve është një kompani vendore, por nuk dha më shumë detaje për të.

Të lidhura

None found

Hoti po ashtu tha se është porositur terapi klorokine (Chlorochuine), por theksoi se për përdorimin e saj do të vendosin profesionistët e fushës.

“Brenda pak ditësh do t’i kemi edhe dozat e para të produktit klorokine. Por, duhet përmendur se akoma nuk ka një medikament, i cili është treguar i suksesshëm në trajtimin e kësaj sëmundjeje”, tha Hoti.

Për medikamentin tjetër azitromycine, me të cilin thuhet se mund të trajtohen pacientët e prekur me koronavirus, në kombinim me të parin, Hoti tha se është në listën esenciale të barnave dhe se ka në stoqe.

Aktualisht, vaksinë kundër sëmundjes që shkakton koronavirusi, COVID-19, nuk ka.

Kosova ka 33 raste të konfirmuara me koronavirus, ndërsa një pacient ka humbur jetën të dielën.


Shtuar 23.03.2020 14:46