“Ethet” e koronavirusit, komuna e Prishtinës gati për dezinfektim

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se po merren masa parandaluese ndaj koronavirusit.

Ahmeti ka njoftuar se këtë fundjavë do të dezinfektohen hapësirat e ndërtesave të Komunës së Prishtinës.

Ai ka njoftuar se nga nesër të gjithë punëtorët e sporteleve të Komunës së Prishtinës do të pajisen me maska, dorëza dhe dezinfektues.

“Që nga nesër shkollat dhe çerdhet furnizohen me material higjienik shtesë sipas nevojës deri në një vendim të radhës për çerdhet dhe shkollat. Komuna e Prishtinës pezullon lejet për tubimet dhe evenimentet publike (promovime, tubime ne sheshe) ku pritet pjesëmarrja e më shumë se 50 personave. Këtu përfshihen aktivitetet që kërkojnë leje nga Komuna për të zhvilluar aktivitetin”, thuhet në shkrimin e Ahmetit.

Gjithashtu, Ahmeti ka njoftuar qytetarët se do të pezullohen takimet me palë në drejtoritë e urbanizmit dhe investimeve kapitale që nuk janë me urgjencë.


Shtuar 11.03.2020 14:54