Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, ka reafuar pas raportimeve në media se ka çarje në koalicionin qeverisës.
Ai ka theksuar se koalicionin mund ta kërcënoj vetëm koalicioni. Megjithatë, ai ka shkruar se asnjëra parti brenda koalicionit, as LDK e as VV nuk po kërcënojnë.
“Kush po e kërcënon koalicionin…
Dhe unë do të përgjigjesha se koalicionin mund ta kërcënojë vetë koalicioni. Por këtë kërcënim nuk e shoh. IM”, ka shkruar Mustafa.Ndërkohë, VV e LDK tash e sa ditë vazhdojnë të përplasen publikisht për taksën ndaj mallrave serbe.Derisa Albin Kurti ka vendosur që shkallë- shkallë ta heq taksën, LDK kërkon që ajo të hiqet menjëherë.
Është vetë Isa Mustafa ai i cili e ka kërkuar një gjë të tillë.
Shkrimi i plotë i Mustafës:
Të nderuar qytetarë
Që nga fillimi jam shprehur haptas, ndoshta ndër të vetmit, se tarifa së pari 10 përqind e pastaj 100 përqind, e caktuar nga Qeveria Haradinaj, nuk kishte arsyetim ekonomik por ishte vënë për tu mbrojtur nga dështimet, sidomos në politikën e jashtme.Presidenti i Serbisë, Vuçiq, i dha tarifës dimension të kushtëzimit të dialogut. Prandaj kur doli në pah mundësia e pazareve me territorin ndërmjet dy presidentëve, atij të Serbise dhe të Kosovës, tarifa rrëshqiti në levën e pengimit të këtij dialogu të dëmshëm. Atëherë e kam përkrahur ish Kryeministrin Haradinaj për vazhdimin e tarifës.
Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar të Komisionit Evropian dhe sidomos pas angazhimit shumë aktiv të SHBA-ve me përfaqësuesin special të Presidentit Trump, ambasadorin Grenell, tarifa objejtivisht mbetet vetëm si relikt, i cili po i shërben Serbisë të paraqitet si viktimë në arenën ndërkombëtare dhe disave në Kosovë si mjet i vetëm i një kauze të paqendrueshme politike.
Askujt nuk i mbushet mendja se Kosova e detyron Serbinë që ta njohë përmes tarifës.Por, shumicës dërmuese iu mbushet mendja se SHBA-të, në rend të parë, dhe BE mund ta bindin Serbinë, përmes procesit të dialogut, ta njohë shtetin e Kosovës.Dëshiroj të besoj se mbledhja e nesërme e Kuvendit do ti japë përkrahje Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti të hiqet tarifa.
Të hiqet ashtu siç po kërkojnë SHBA-të.Nuk jam i sigurt që dikush nga grupet parlamentare ose deputetët e Kuvendit apo qeveritarët ta kenë gjetur një partner më të fortë, më meritor dhe më të përkushtuar sesa SHBA-të për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. E as një rrugë më me perspektivë se ajo e integrimit evropian dhe euroatlantik.
Nëse dikush luhatet, LDK, deputetët e saj dhe anëtarët e Qeverisë do të mbështesin pa asnjë rezervë dhe me besim e bindje të plotë heqjen e menjëhershme të tarifës, dhe atë jo vetëm se po e kërkon partneri ynë strategjik SHBA, por se jemi të bindur se kjo është në interes të shtetit të Kosovës.Në qoftë se Serbia, nuk e ndal fushatën kundër Kosovës dhe nuk mënjanon pengesat tregtare dhe ekonomike, LDK mbetet e përkushtuar për aplikimin e masave të reciprocitetit pas një periudhe që Qeveria e akordon me SHBA-të dhe BE-në. IM