“Ju jap 1 milionë euro, na lini të ikim”, si tentoi Ramazan Rraja të korruptonte policët në këmbim të lirisë

Mbrëmjen e 19 prilli, policia arrestoi  Ramazan Rrajën, nipin e deputetit socialist Rrahman Rraja, i cili ka qenë në kërkim për atenatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj në mbikalimin e Shkozetit në vitin 2019.

Sipas Euronews, në momentin e arrestimit Rraja i ka ofruar policëve 1 milionë euro në këmbim të lirisë.

Rraja dhe miku i tij Luis Konomi lëviznin me një automjet të blinduar. Pas ndërhyjes së policisë në një lokal në zonën e Urës së Gjoles, Ramazan Rraja dhe Luis Konomi tentuan të largohen nga dera e pasme e më pas me një automjet të blinduar që lëviznin. Rrethimi i zonës nga policia bëri që ata të neutralizoheshin ndërsa në momentin e ndalimit Ramazan Rraja u propozoi policive një marrveshje në këmbim të lirisë.

“Ju jap 1 milion euro, vetëm na lini të ikim ” mësohet të jetë shprehur 30 vjeçari i cili mbante në brez dhe një pistoletë gati për qitje.

Bashkë me Rrajën, në pranga përfundoi edhe Luis Konomi i njohur edhe me emrin Elton Llozhi dhe nofkën “Çupja”,  i cili ishte në kërkim për kërcënimin e një biznesmeni për t’u tërhequr nga një tender. Ramazan Rraja u la në burg të premten nga Gjykata e Posaçme megjithse ai mohoi akuzat e ngritura nga SPAK.

Kush është Ramazan Rraja

Rraja nuk është një emër i panjohur për policinë. Rraja rreth 3 vite më parë ka dhunuar barbarisht një grua te QSUT. Ai gjithashtu u rikthye në qendër të vëmendjes pas publikimit të një video ku shfaqet në një lokal në Fushë-Krujë me kallashnikov, duke terrorizuar klientët. Pas publikimit të lajmit, Rraja, nga Dubai mohoi të kishte qenë ai, duke thënë se policia merr ryshfet për të terrorizuar familjen e tij.

Rraja gjithashtu është dënuar me 12 vite burg në Belgjikë dhe sipas mediave atje, ai është një nga kokat e një organizate droge shqiptaro-letoneze që tregtonte miliona euro kokainë, duke përfshirë aktivitetin edhe portet e Antwerpen dhe Vlissingen.

Po ashtu Rraja është shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare qysh prej datës 17 janar 2023, pasi GJKKO e ka pranuar kërkesën e prokurorisë SPAK, për caktimin e masës së arrestit në burg ndaj tij.

SPAK pretendon se Ramazan Rraja, kushëriri i tij Redjan Rraja dhe persona të tjerë në qytetin e Durrësit, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin në atentatin e datës 1 nëntor 2019 në zonën e Sukthit, ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, dhe të plagosur rëndë Landi Muharremi “Rrumi i Shijakut” dhe ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja.

Rraja ka qenë shpallur në kërkim dhe  pas atentatit të ndodhur në 17 korrik 2022, në mbikalimin e Fushë- Krujës, ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.

Në atë kohë, Ramazan Rraha ndodhej jashtë vendit.

Ai u shoqërua nga policia e Fushë-Krujës mesditen e 31 tetorit 2022, kur sapo ishte kthyer në Rinas me linjën e “Flay Dubai” nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Rraja dha deklarime në lidhje me hetimin e masakrës së 17 korrikut, duke dhënë pretendimet e tij dhe më tej është lënë i lirë.

Në 15 nëntor 2022 Rramazan Rraja dhe tre persona të tjerë shokë të tij, janë shoqëruar në policinë e Tiranës dhe marë në pyetje lidhur me trajektoren e lëvizjes së tyre, dhe pronësinë e tre automjeteve të blinduara.

Ai konsiderohet nga policia dhe prokuroria si miku i Plaurent Dervishaj, i cili prej disa vitesh qëndron si resident në Dubai, megjithëse kërkohet nga SPAK për vrasjen e Klodian Saliut në shkurt të 2005./albeu.com


Shtuar 22.04.2023 14:51