Të paktën 96 turistë dyshohet se kanë pësuar helmim nga ushqimi në një restorant në Budva, raporton Blic.rs.
Ata janë kryesisht turistë nga Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia, dhe pothuajse të gjithë kanë qenë në një restorant. Të gjithë ata janë shtruar në spitalet e Kotorrit, Tivarit dhe Cetinjes.
Në komunën e Budvës është konfirmuar se ka pasur helmim nga ushqimi dhe se mysafirët e një restoranti kanë kontaktuar institucionet mjekësore për shkak të problemeve me stomakun.
Mbrëmë rreth orës 22:00, në spitalin e Kotorrit janë paraqitur 30 persona me të vjella, shumë prej të cilëve fëmijë të moshës 15-16 vjeç. Ndërsa turistët e tjerë të helmuar janë shtruar në spitale të ndryshme të zonës.
Drejtori i spitalit të Tivarit, doktor Igor Karisik, tha se pacientët, janë vendosur në repartin e fëmijëve dhe të brendshëm. Ai ka theksuar se nuk ka persona të rrezikuar dhe shumica prej tyre do të lejohen të lënë spitalin.
Kryetari i Komunës së Budvës, Milo Bozhoviq dhe administrata komunale janë në dispozicion të turistëve që kanë probleme shëndetësore dhe nëse është e nevojshme do t’u sigurojnë akomodim, transport dhe gjithçka tjetër.