Fundi i mandatit, Meta: Si president, kam mbrojtur në të gjitha rastet interesin kombëtar

Presidenti Ilir Meta është ftuar mbrëmjen e sotme në Fax News ku ka folur për mandatin e tij si president i Republikës së Shqipërisë.

Pyetje: Një Presidencë, e cila ka qenë e ngjeshur, ka qenë më gjëra interesante, me përpjekje me luftë. Por, fundi i Ilir Metës, nga ky institucion si të duket?

Presidenti Meta: Jemi në përmbyllje të një Presidence 5 vjeçare, apo më saktë mandatit të parë të Ilir Metës si President i Republikës.

Gjithçka mund të thuhet se ka shkuar sipas parashikimeve të mia dhe betimit tim mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë 5 vite më parë, në raport me përmbushjen e këtij detyrimi shumë të lart kushtetues.

Kam thënë kur jam betuar, që do të mbroj interesin kombëtar, dhe këtë e kam bërë në të gjitha rastet, edhe në kushtet e një presioni të jashtëzakonshëm për të cenuar interesin kombëtar, ose për të mbyllur sytë përpara cenimeve të tilla, duke u bërë bashkëfajtor në heshtje.

Kam mbrojtur vetëm interesin publik dhe kombëtar. Kjo është shumë evidente dhe ajo që është me e rëndësishme, në të gjitha debatet që janë hapur midis Institucionit të Presidentit dhe Parlamentit, apo Qeverisë, si në Komisionin e Venecias dhe në Gjykatën Kushtetuese, që nuk është ndonjë sekret për asnjë, që është nën ndikimin e mazhorancës aktuale, të gjitha këto beteja janë fituar nga Presidenca, që ka shkëlqyer në drejtim të kushtetutshmërisë dhe të respektimit të saj me përkushtim maksimal.

Nuk ka qenë e thjeshtë, përkundrazi. Kjo Presidencë ka pasur më pak kompetenca se çdo Presidencë tjetër e Republikës së Shqipërisë.

Për fat të keq, opozita ndërmori një hap vetëvrasës, jo thjeshtë për të, se për një pjesë të mirë të opozitës dhe për lidershipin e saj ishte një hap përfitues.

Por, për demokracinë në vend, parlamentarizmin, dhe institucionet e pavarura, duke djegur mandatet dhe duke ekspozuar edhe Presidentin përballë një mazhorance prej 122 kartonësh.

Për fat të keq, opozita ka bërë pikërisht atë që ka dashur mazhoranca. E ka ndihmuar dhe ja ka lehtësuar rrugën në kapjen e sistemit të drejtësisë, përmes bojkotit të reformës dhe në bojkotimin e zgjedhjeve lokale.

Në kushtet e një rrethimi të plotë dhe të gjithanshëm të këtij institucioni, me një mazhorancë që kishte uzurpuar çdo institucion, ajo që unë dhashë si premtim besoj se u përmbush, që deri në 24 korrik 2022, kjo Presidencë dhe ky institucion do të vazhdoj të jetë një kështjellë e pamposhtur e demokracisë dhe e interesit kombëtar, dhe kështu do të vazhdojë deri në ditët që vijnë deri në 24 korrik 2022.


Shtuar 22.06.2022 21:14