Cilët janë 7 vëllezërit dështakë të yjeve të futbollit (FOTO LAJM)

Kanë të njëjtit prindër, por jo të njëjtin talent. Historia e futbollit ka treguar mjaft herë sesi dy vëllezër mund të kenë ecuri krejt të ndryshme. Ndërkohë që njëri është pjesë e elitës ndërkombëtare të këtij sporti, tjetri “dergjet” në kategori inferiore, pa asnjë shpresë se mund t’ia dalë mbanë. Ja disa prej rasteve…

Vëllezërit Zaneti

Havier është një legjendë tek Interi, duke kaluar pothuajse gjithë karrierën, të mbushur me trofe dhe suksese. Por, ish-kapiteni i zikaltërve ka edhe një vëlla futbollist. A e dinit këtë? Serxhio Zaneti, i lindur në vitin 1967, e nisi karrierën në Argjentinë me Rasing, për t’u transferuar më pas në Itali me Kremonezen dhe Verbanian. E mbylli karrierën e tij në Zvicër, midis Belinzoës dhe Lokarnos. Suksesi më i madh që arriti si sportist ishte pikërisht prezantimi si vëllai i Havierit…

Vëllezërit Suarez

Të dy mbajnë familjet e tyre me rrogën si futbollistë. Luis është një nga më të paguarit në botë, pa diskutim me meritë. Ndërsa i vëllai, Rodolfo Paolo, duhet të krenohet që e ndjek nga televizori. I lindur në 1980- ën, ai është mesfushor dhe, pas disa vitesh në vende të ndryshme të Amerikës së Jugut, tashmë luan në Kategorinë e Parë në Salvador, me skuadrën ushtarake Komunikaciones.

Vëllezërit Borrielo

Në Itali, të dy vëllezërit janë pjesë e revistave rozë. Por, Marko prezantohet si sulmuesi që ka veshur fanellën e Milanit, Juventusit, Romës, Sampdorias dhe Xhenoas. Vëllai tjetër, Fabio, është aktivizuar në kategorinë inferiore të futbollit, madje ka marrë pjesë edhe në një “reality” për ata që shpresonin të realizonin një karrierë të suksesshme. Por, vetëm kaq.

Vëllezërit Vieri

Të dy sulmues, por shifrat e vënë në dyshim faktin që mund të jetë vëllezër. Kristian ka qenë një bomber i frikshëm. Sezone të suksesshme dhe të mbushura me gola. Ndërsa Maksi, vëllai tjetër, ka luajtur kryesisht në Kategorinë e Tretë të Italisë, me dëshirë të madhe për të shënuar, por me mungesa akoma më të madhe finalizimi.

Vëllezërit Terri

Njëri është një nga mbrojtësit më të mirë të Anglisë. Për vite me radhë është cilësuar edhe një prej më të mirëve në Europë. Ndërsa, vëllai tjetër Pol Terri, përveç se futbollist në profesion, vështirë t’i japësh merita sportive. Gjithsesi, jashtë fushës ai ka ngjashmëri të madhe me Xhonin. Sidomos me dëshirën për të krijuar lidhje me bashkëshorten e shokëve të ekipit…

Vëllezërit Pogba

Matias Pogba ka luajtur në kategoritë inferiore të Anglisë dhe provoi të shkëlqejë në Itali, kur u transferua të Peskara. Por, nuk arriti të fitonte gjë tjetër veçse kujtimeve. I vëllai, Pol, është një nga lojtarët më të kërkuar në merkaton ndërkombëtare.

Vëllezërit Kaka

Kur braziliani luante me Milanit, klubi ishte i gatshëm t’i plotësonte çdo dëshirë. Një prej tyre ishte edhe që t’i gjente një ekip të vëllait, Digaos. Ai ishte në pronësinë e Milanit dhe aktivizohej në kategoritë inferiore, pa arritur për asnjë moment që të tregojë se mund të vlente.


Shtuar 31.03.2020 09:21