FOTO/ Ky është 50-vjeçari shqiptar që u vra në mes të rrugës në Selanik

50-vjeçari Shpëtim Bajrami, mbeti i vrarë pasditen e djeshme përballë një karburanti në Selanik.

Mediet greke kanë publikuar ditën e sotme foton e Bajramit.

Burri u qëllua nga një bashkatdhetar 45-vjeçar, i cili u dorëzua të premten, duke i thënë policisë se nuk kishte asnjë motiv për të kryer vrasje.

Shpëtim Bajrami

Sipas informacioneve, 45-vjeçari pretendon se ishte shok me viktimën dhe se mes tyre kishte pasur një sherr.

Shkak i përleshjes dyshohet se kanë qenë çështjet financiare që kanë të bëjnë me viktimën dhe autorin.

Ndaj 45-vjeçarit është ngritur një dosje dhe pritet që të shtunën të dalë në Gjykatë.

Viktima dhe 45-vjeçari, me precedentë penalë, njiheshin me njëri-tjetrin dhe ishin ulur së bashku pak më parë. Madje, një përleshje çoi në incidentin e përgjakshëm dhe sulmin me të shtëna.

“Kohët e fundit kam marrë kërcënime serioze për jetën nga viktima.  Ka pasur dy incidente të dhunshme ndaj meje nga viktima dhe jashtë karburantit jam sulmuar sërish nga viktima”, tha ai.

Ngjarja e përgjakshme ndodhi në orën 12:35 të së enjtes jashtë një karburanti në rrugën Solonos 51.

Sapo 50-vjeçari ka ndalur makinën në pikën e karburantit, autori e ka ndjekur me mjetin me ngjyrë të zezë që drejtonte dhe është ndalur pikërisht pranë tij, pa dalë. Dy burrat filluan të debatonin dhe viktima iu afrua autorit.

Në video-dokumentin tronditës të regjistruar nga kamerat e sigurisë së karburantit, shihet momenti kur 50-vjeçari i afrohet sulmuesit dhe tenton ta godasë nga dritarja e pasagjerit dhe më pas i dyti e qëllon nga brenda makinës.

Viktima, sipas informacioneve, ka marrë të paktën tre plumba në shpatull dhe gjoks dhe pak më vonë ka dhënë frymën e fundit. Autori është dorëzuar mesditën e së premtes. Bëhet fjalë për një shtetas shqiptar 45-vjeçar, baba i tre fëmijëve, i cili është vetëdorëzuar i shoqëruar nga avokati i tij.

Çfarë thotë avokati i tij

“Ai nuk kishte ndërmend të vriste 50-vjeçarin. Ai kishte marrë armën me vete teksa po kërcënohej. Para ngjarjes ai u sulmua dhunshëm”.

Kështu theksoi në deklaratat e tij avokati i 45-vjeçarit, Thanasis Alexopoulos, pas dorëzimit të autorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Selanikut.

Avokati, duke iu përgjigjur një pyetjeje të ThessToday, konfirmoi se viktima dhe autori kishin marrëdhënie miqësore.

Sipas informacioneve të ThessToday, 45-vjeçari ka treguar në polici vendndodhjen e armës me të cilën kreu vrasjen./Albeu.com.


Shtuar 14.07.2023 22:41