E vetme dhe shtatzënë, Klodiana gjeti familjen e munguar: Hiqnin rrogën e tyre për të më paguar qiranë

E vetme, pa asnjë mbështetje, e dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht, Klodiana vendosi ta mbante fëmijën që priste të vinte në jetë pavarësisht se babai i tij nuk e donte dhe e kërcënonte vazhdimisht. Agresiviteti i tij shkoi deri në atë pikë sa ta shkelmonte pa pikë mëshire krijesën që ndodhej brenda barkut të saj.

Mes këtij rrëfimi tronditës që Klodiana ndau me “Ka Një Mesazh Për Ty”, ajo tregon edhe si gjeti një familje. Siç u shpreh, motrat e vëllezërit nuk e përkrahën në vendimin e saj. Ngushëllimin dhe kurajën Klodiana i gjeti te njerëzit që nuk e lanë të vetme në momentin më të vështirë.

Klodiana: Unë kam punuar në restorant peshku dhe ata kanë qenë që unë merrja forcë, kurajë, gjithçka. Ata për mua kanë qenë gjithçka.

T’u bënë ata familje?

Klodiana: Shumë. Jo një familje, por një familje shumë e fortë, një familje që… dua t’i falenderoj se ata s’ndodhen këtu, ata ndodhen jashtë shtetit.

Çfarë bënë ata për ty?

Klodiana: Ata më kanë ndihmuar që në muajin e shtatzënisë derisa fëmija lindi dhe pas lindjes më kanë paguar qiranë 6 muaj, stafi i punës.

Pra nga rrogat e tyre hiqnin një shumë secili dhe të paguanin ty qiranë.

Klodiana: Po.

Ndërkohë, emrin e çunit, si e vure?

Klodiana: Unë kam punuar deri në ditën e fundit të shtatzënisë time dhe kam ikur me rroba e kuzhinës në sallën e operacionit. Gjatë 9 muajve unë s’e kisha menduar nga stresi, nga shqetësimi ose nga paniku që kisha të përditshëm, vetëm ajo puna më ishte gjithçka dhe për të më hequr atë frikën se jam futur e vetme në sallën e operacionit, pa asnjë, doktori bënte si me shaka për të më hequr atë ankthin. “Jo i blerë, jo i shitur” dhe emri ka ngelur Mibler.

Sa vjeç është Mibleri sot?

Klodiana: Mibleri është 6 vjeç, në klasë të parë.

Mes lotësh, Klodiana rrëfen edhe sakrificat për rritjen e fëmijës si një nënë e vetme. E frikësuar në çdo moment se mos ish-bashkëshorti rikthehej dhe ia merrte, e shqetësuar për të ardhmen dhe për sigurinë e të dyve, ajo nuk arrinte as të mbyllte sy.

Klodiana: E bëra për në kopsht. Vazhdonte frika, gjthçka. Kushedi sa net e kam gdhirë e vetme. Sëmurej me temperaturë, e vetme pa asnjë lloj mbështetjeje. Kushedi sa herë më zinte gjumi poshtë, në tokë, në pllakë. Shumë herë./tvklan


Shtuar 10.12.2023 19:29