“Alarm i kuq”, një person në Greqi dyshohet të jetë infektuar nga virusi vdekjeprurës

Në “alarm të kuq” ndodhen organet greke të Shëndetësisë në qytetin e Selanikut pasi është shtruar në spitalin AXEPA të qytetit një pacient me të gjitha simptomat e ngjashme me ato që shkakton koronavirusi.

Ky është rasti i parë i dyshuar ne Selanik i një pacienti që po kontrollohet nëse është infektuar apo jo nga koronavirusi.

Sipas drejtorit të spitalit Panagiotis Panteliadis, bëhet fjalë për një person të moshës së mesme që kishte vizituar Kinën në javët e fundit, por të dhënat e tij ende nuk bëhen të njohura.

Sapo ai u shtrua ne spital kanë filluar të gjitha procedurat e parashikuara. Kujtojmë se spitali Axepa kishte disa ditë që ishte në gadishmëri dhe ishte prej spitaleve që qeveria greke ka caktuar për të përballuar raste të mundshme të koronavirusit.

Pacienti aktualisht është në karantinë në një sallë me të gjitha aparaturat e nevojshme dhe analizat e tij janë dërguar në Institutin Pastër për të përcaktuar nëse është virusi vdekjeprurës apo një rast i thjeshtë gripi. Rezultatet e tyre do të bëhen publike në orët e ardhshme.


Shtuar 31.01.2020 07:43