Policia e Tiranës ka proceduar penalisht kandidatin e LSI-së, Etjon Joka pas publikimit të videos ku blihej vota me 100 dollarë. Sipas njoftimit të policisë është arrestuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”aktivisti i kësaj force politike, Elis Babosi dhe shpallën në kërkim për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”,” kandidati për deputet Etjon Joka.
Ditën e djeshme, kandidati i LSI-së për Tiranën Etjon Joka ka reaguar lidhur me videon duke u shprehur se është e sajuar dhe e montuar. Joka shkruan se do të ndjekë çështjen ne mënyrë ligjore.
“Fundi i montazheve ka qenë i turpshëm ashtu siç do jetë dhe fundi i Rilindjes në 25 Prill. Çështjen e këtij montazhi do ta ndjek edhe në rrugë ligjore pas 25 Prillit. Deri në 25 prill përpara të bëjmë çdo gjë për fitoren e madhe”, shkruan ai, i cili nuk e sqaron se pse nuk e bën sot kallëzimin por do t’i duhet të presë pas 25 prillit.
Njoftimi
Tiranë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ndalimin për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, të shtetasit E. B., 30 vjeç, si dhe shpallën në kërkim për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”,” shtetasin E. J., 32 vjeç, kandidat për deputet i një subjekti politik për qarkun e Tiranës.
Në kuadër të procedimit penal, datë 23.04.2021 të SPAK dhe bazuar në pamjet filmike të transmetuara në media dhe rrjete sociale, këta dy shtetas janë të dyshuar për një rast korrupsioni në fushatën zgjedhore.
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar disa kontrolle por deri tani nuk është bërë e mundur kapja e shtetasit E. J.
Materialet proçeduriale iu kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të shtetasit E. B., për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, dhe në ngarkim të shtetasit E. J., për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.