Sekretari i Përgjithëm i PD-së Gament Bardhi sërish ka hedhur akuza ndaj numrit dy të PS-së Damia Gjiknuri duke thënë se afera 400 milionë euroshe e mafies së plehrave është një nga shpërdorimet më të mëdha të taksave të qytetarëve shqiptarë.
Më tej, Bardhi thotë se Gjiknuri ka udhëtuar mbi 15 herë me ta jashtë Shqipërisë me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton.
Bardhi shprehet se tani është radha e drejtësisë të thotë fjalën e fundit.
“Afera 400 milionë euroshe e mafies së plehrave është një nga shpërdorimet më të mëdha të taksave të qytetarëve shqiptarë.
Ditën e djeshme Partia Demokratike zbuloi një tjetër zgjatim të kësaj afere të pisët, nëpërmjet faktimit të lidhjeve të ngushta të Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos, bosëve të inceneratorëve, dhe Damian Gjiknurit, i cili ka udhëtuar mbi 15 herë me ta jashtë Shqipërisë, ndërkohë që i gjithë aparati shtetëror ishte vendosur në gatishmëri të mafies së plehrave.
Ky konflikt i pastër interesi i shtohet numrit të madh të provave që Partia Demokratike ka grumbulluar vitet e fundit mbi këtë aferë që bën bashkë drejtuesit më të lartë të këtij pushteti të korruptuar, e sigurisht vet Edi Ramën, që ka promovuar dhe mbrojtur këto projekte që shkrumbojnë vetëm taksat e qytetarëve.
Tani është radha e drejtësisë të thotë fjalën e saj mbi këtë aferë 400 milionshe, që tregon edhe njëherë urgjencën që ka Shqipëria të pastrohet nga politikanët e korruptuar dhe të largoi këtë regjim plaçkitësish”, shkruan Bardhi në Facebook ndërsa ka ndarë dhe videon e kryeministrit Rama në një konferencë për shtyp, ku paralajmëronte ministrat dhe anëtarët e PS-së se nuk do të kishin mbrojtje nga partia nëse përfshiheshin në korrupsion./albeu.com