Butch Wilmore dhe Sunita Williams u nisën drejt Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor për një mision të parashikuar të zgjaste tetë ditë, por problemet me kapsulën Boeing Starliner i mbajtën në hapësirë për rreth nëntë muaj.
Të lidhura
None found
Komandanti i NASA-s ka treguar tani se çfarë ndodhi gjatë afrimit me Stacionin, kur sistemi i shtytjes së anijes nisi të kishte defekte serioze.
Katër motorë shtytës të Starliner-it pushuan së funksionuari dhe pak më vonë dështoi edhe një i pestë. Ndërkohë, disa nga motorët e tjerë po jepnin më pak fuqi se sa ishte parashikuar.
Wilmore, i cili drejtonte kapsulën, e kuptoi se kontrolli i anijes po bëhej gjithnjë e më i vështirë. Aktivizimet e shpejta të motorëve krijuan një zhurmë që ai e përshkroi si të ngjashme me një “mitraloz”.
Ekuipazhi nuk e dinte në atë moment se përse po ndodhnin dështimet dhe as nëse motorët do të riktheheshin në gjendje pune.

“Duhej të arrinim atje. Nëse nuk arrinim, nuk isha i sigurt nëse mund të ktheheshim në Tokë në këtë gjendje”, tha Wilmore në një intervistë për “The Jeremy Boreing Show”.

“Pra, po, të kalon në mendje edhe mundësia që të mos mbijetosh.”
Problemet e shtytjes kufizuan edhe aftësinë e kapsulës për të kryer manovrat e nevojshme. Një anije kozmike duhet të mund të rrotullohet, të anohet dhe të lëvizë përpara, prapa, lart, poshtë, majtas e djathtas. Këto njihen si “gjashtë shkallë lirie”.
“Ne kishim humbur një nga shkallët tona të lirisë”, shpjegoi komandanti.
Sipas tij, një situatë e tillë nuk ishte regjistruar më parë gjatë fluturimeve hapësinore me njerëz. Më vonë u kuptua se edhe motorët e tjerë kishin pësuar humbje të fuqisë së shtytjes.
“Isha në komandë. Mund ta ndieja. Anija nuk sillej aspak si një ditë më parë. Edhe tingulli ishte ndryshe”, kujtoi Wilmore.
Edhe nëse ankorimi me ISS do të realizohej, astronauti kishte arritur në përfundimin se Starliner nuk përbënte më një mënyrë të sigurt për kthimin në Tokë.
“Nëse arrijmë atje të sigurt, nëse ankorojmë anijen, ne nuk do të kthehemi në shtëpi me këtë mjet. Do të qëndrojmë atje për një kohë”, tha ai duke kujtuar mendimet e asaj periudhe.
Wilmore dhe Williams ishin nisur në korrik të vitit 2024, me planin për të qëndruar vetëm tetë ditë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.
Për shkak të pasigurisë së krijuar nga problemet teknike, kapsula Boeing u kthye në Tokë në mënyrë automatike dhe pa ekuipazh në shtator të vitit 2024.

Dy astronautët u rikthyen përfundimisht në Tokë në mars të vitit 2025, me misionin Crew-9 të SpaceX.

Wilmore tha se zhurma e motorëve, e ngjashme me të shtëna automatike, e bëri situatën edhe më të tensionuar. Pikërisht atëherë ai nisi të dyshonte nëse ekuipazhi do të arrinte në ISS.
NASA kishte deklaruar për një periudhë se Starliner kishte ende aftësinë teknike për t’i kthyer astronautët në Tokë. Megjithatë, Wilmore tha se vetë nuk kishte më besim te kapsula që përpara ankorimit.
Kur u pyet më vonë se si ishte ndier kur mori vesh se nuk do të kthehej me Starliner, ai u përgjigj: “Unë e dija këtë para se të ankoroheshim.”
Vendimi zyrtar për të mos i kthyer astronautët me kapsulën Boeing u mor më vonë, por Wilmore tha se mundësia e një kthimi të tillë ishte parë gjatë gjithë kohës si tepër e vogël.
“Shanset ishin shumë të ulëta, pothuajse zero, sepse nuk mund t’i inspektosh motorët.”
Ai sqaroi se astronautët nuk mund të dilnin nga kapsula për të kontrolluar fizikisht motorët, pasi ata nuk ishin ndërtuar në një mënyrë që ta lejonte këtë ndërhyrje.
“Nuk janë ndërtuar në atë mënyrë. Prandaj nuk kishim asnjë mënyrë për ta ditur me siguri se cili ishte problemi.”
Komandanti foli edhe për zhgënjimin që kishte përjetuar pasi mësoi për disa procese dhe vendime të lidhura me programin Starliner, për të cilat nuk kishte qenë në dijeni më herët.
“Isha i frustruar nga disa procese për të cilat nuk kisha qenë në dijeni dhe nga disa vendime për të cilat nuk dija”, deklaroi ai.
Wilmore nuk tregoi se për cilat procese apo vendime bëhej fjalë dhe as nuk identifikoi personat përgjegjës. Ai theksoi gjithashtu se ky zhgënjim nuk lidhej me zgjatjen e qëndrimit në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.
“Për sa i përket qëndrimit në stacion, isha plotësisht i qetë me situatën”, tha astronauti.
Besimi i tij i krishterë, sipas Wilmore, e ndihmoi të përballonte situatën e papritur. Ai pranoi se gjatë kësaj kohe kishte përjetuar ankth, frikë dhe momente zhgënjimi.
“Isha i frustruar herë pas here dhe ndoshta pak i frikësuar një ose dy herë”, tregoi ai.
Megjithatë, Wilmore tha se frika nuk duhej të ndikonte në aftësinë e tij për të kryer detyrën.
“Kjo nuk do të thotë se frika nuk është aty, por duhet ta vendosësh në vendin e duhur dhe të vazhdosh përpara.”
Wilmore dhe Williams u kthyen të sigurt në Tokë në mars të vitit 2025, pas një misioni që fillimisht ishte planifikuar për tetë ditë, por që u zgjat në muaj për shkak të defekteve teknike të Starliner. /GazetaExpress/
