Prodhuesi gjerman i automjeteve Volkswagen ka njoftuar se synon të hedhë në tregun kinez modelet e para me aftësi drejtimi autonom të Nivelit 3 gjatë vitit të ardhshëm. Kjo lëvizje vjen si pjesë e përpjekjeve të gjigantit evropian për të ecur në hap me zhvillimet e shpejta në fushën e teknologjisë së vetëdrejtimit.
Të lidhura
None found
Sipas deklaratës së kompanisë të dhënë të mërkurën, shpërndarja e këtyre veturave do të fillojë në pjesën e dytë të vitit 2027. Ato do t’u mundësojnë drejtuesve që, në situata specifike, t’ia besojnë plotësisht kontrollin e mjetit sistemit autonom.
Për të realizuar këtë plan, prodhuesi gjerman po thellon bashkëpunimin me firmën teknologjike kineze Horizon Robotics. Marrëveshja e zgjeruar do t’i sigurojë ndërmarrjes së tyre të përbashkët, Carizon, akses në modelin e inteligjencës artificiale të Horizon Robotics. Volkswagen theksoi se kjo lëvizje do të përshpejtonte ndjeshëm zhvillimin e sistemeve për drejtimin autonom. Carizon u krijua nga të dyja palët në vitin 2022.
Teknologjia e Nivelit 3 të autonomisë i lejon shoferit të heqë duart nga timoni dhe të mos monitorojë rrugën për periudha të shkurtra, por vetëm në rrethana të mirëpërcaktuara si udhëtimi në autostrada, ku makina merr përsipër të gjitha funksionet e drejtimit.
Kina po pozicionohet si një pionere në integrimin e kësaj teknologjie në automjetet e prodhimit masiv. Shumë prodhues tashmë po kryejnë prova të sistemeve të tyre në rrugët publike, ndërkohë që në disa qytete kineze funksionojnë edhe shërbime robotaksi tërësisht pa ndërhyrje njerëzore.
Plani i Volkswagen për të ofruar Nivelin 3 në Kinë dëshmon se tregu më i madh botëror i automjeteve po dikton ritmin e veçorive të drejtimit që nuk kërkojnë vëmendjen e shoferit. Ky realitet po i detyron prodhuesit ndërkombëtarë të mbështeten te partneritetet lokale për të ruajtur pozicionin e tyre konkurrues.
Më parë, në Gjermani, Mercedes-Benz dhe BMW kishin prezantuar funksione të Nivelit 3 në disa prej modeleve të tyre të nivelit të lartë, por të dyja kompanitë i kanë pezulluar këto programe./DPA News
