TikTok ndan të dhënat tuaja më shumë se çdo aplikacion tjetër i mediave sociale

Dy nga aplikacionet tuaja të mediave sociale mund të mbledhin shumë të dhëna për ju, dhe mund të mos ju pëlqejë ajo që njëri prej tyre po bën me to.

Kjo është sipas një studimi të fundit, të publikuar muajin e kaluar nga kompania e marketingut celular URL Genius, e cila zbuloi se YouTube dhe TikTok gjurmojnë të dhënat personale të përdoruesve më shumë se çdo aplikacion tjetër i mediave sociale, shkruan cnbc.com.

Studimi zbuloi se YouTube, i cili është në pronësi të Google, kryesisht mbledh të dhënat tuaja personale për qëllimet e veta, si gjurmimi i historisë suaj të kërkimit në internet, apo edhe vendndodhjes suaj, për t’ju shërbyer me reklama përkatëse.

Por TikTok, i cili është në pronësi të gjigantit kinez të teknologjisë ByteDance, kryesisht lejon gjurmuesit e palëve të treta të mbledhin të dhënat tuaja – dhe prej andej, është e vështirë të thuhet se çfarë ndodh me to.

Siç vë në pah mediumi në fjalë, me gjurmuesit e palëve të treta, është në thelb e pamundur të dihet se kush po gjurmon të dhënat tuaja ose çfarë informacioni ata po mbledhin, nga cilat postime ndërveproni – dhe sa kohë shpenzoni për secilin – te vendndodhja juaj fizike dhe çdo informacion tjetër personal që ndani me aplikacionin.

Madje, gjurmuesit e palëve të treta mund të gjurmojnë aktivitetin tuaj në sajte të tjera edhe pasi të dilni nga aplikacioni.

Për të kryer studimin, URL Genius përdori funksionin Record App Activity nga iOS i Apple për të numëruar se sa domene të ndryshme ndjekin aktivitetin e një përdoruesi në 10 aplikacione të ndryshme të mediave sociale – YouTube, TikTok, Twitter, Telegram, LinkedIn, Instagram, Facebook, Snapchat, Messenger dhe Whatsapp – gjatë një vizite, para se të hyni në llogarinë tuaj.

YouTube dhe TikTok kryesuan aplikacionet e tjera me 14 kontakte rrjeti secili, dukshëm më i lartë se numri mesatar i studimit prej gjashtë kontaktesh rrjeti për aplikacion.

Këto shifra janë të gjitha ndoshta më të larta për përdoruesit që janë regjistruar në llogari në ato aplikacione, vuri në dukje studimi.

Në shkrimin e publikuar në cnbc.com, dhjetë nga gjurmuesit e YouTube ishin kontakte të rrjetit të palës së parë, që do të thotë se platforma po gjurmonte aktivitetin e përdoruesve për qëllimet e veta, përcjell Telegrafi.

Katër nga kontaktet ishin nga domenet e palëve të treta, që do të thotë se platforma sociale po lejonte një pjesë të vogël të palëve të jashtme misterioze të mblidhnin informacione dhe të gjurmonin aktivitetin e përdoruesve.

Ndërsa për TikTok, rezultatet ishin edhe më misterioze: 13 nga 14 kontaktet e rrjetit në aplikacionin e njohur të mediave sociale ishin nga palë të treta.

Sipas studimit, gjurmimi nga palët e treta ka ndodhur edhe kur përdoruesit nuk kanë zgjedhur të lejojnë gjurmimin në cilësimet e secilit aplikacion.

“Konsumatorët aktualisht nuk janë në gjendje të shohin se çfarë të dhënash ndahen me rrjetet e palëve të treta, ose se si do të përdoren të dhënat e tyre”, shkruajnë autorët e raportit.

Në tetor, Wired publikoi një udhëzues se si TikTok gjurmon të dhënat e përdoruesve, duke përfshirë vendndodhjen tuaj, historikun e kërkimit, adresën IP, videot që shikoni dhe sa kohë kaloni duke i parë ato.

Sipas atij udhëzuesi, TikTok mund të “përmbledhë” karakteristikat personale nga mosha juaj deri në gjininë tuaj bazuar në informacionet e tjera që mbledh.

Google dhe faqet e tjera bëjnë të njëjtën gjë, një praktikë e quajtur “inferred demographics.”

Ndryshe, TikTok ka qenë subjekt i kritikave në të kaluarën për mënyrën se si kompania mbledh dhe përdor të dhëna, veçanërisht nga përdoruesit më të rinj, duke përfshirë pretendimet se kompania ka transferuar disa të dhëna private të përdoruesve në serverët kinezë.

Siç vuri në dukje CNBC vitin e kaluar, politika e privatësisë së TikTok thotë se aplikacioni mund të ndajë të dhënat e përdoruesit me kompaninë e tij mëmë kineze, megjithëse pretendon se përdor masa sigurie për të “mbrojtur të dhënat e ndjeshme të përdoruesit”.

Në vitin 2020, presidenti i atëhershëm Donald Trump u përpoq të ndalonte TikTok në SHBA për shqetësimet në lidhje me politikat e sigurisë së të dhënave të aplikacionit, përpara se presidenti aktual Joe Biden të tërhiqej nga këto kërcënime dhe të urdhëronte një rishikim të kërcënimeve të mundshme të sigurisë të paraqitura nga aplikacionet në pronësi të huaj.

Sidoqoftë, as TikTok dhe as YouTube nuk i janë përgjigjur menjëherë kërkesës së CNBC për koment.


Shtuar 10.02.2022 15:14