Pas 15 majit, mund të mos e përdorni dot më WhatsApp-in

Nëse nuk keni rënë dakord me kushtet e reja të diskutueshme të shërbimit të WhatsApp deri më 15 maj, aplikacioni do të fillojë të çaktivizojë disa nga shërbimet, njoftoi Facebook së fundmi.

Pas datës 15 maj, aplikacioni, i cili zotërohet nga Facebook, do të funksionojë në një mënyrë të tillë: përdoruesit duhet të klikojnë në mënyrë që të futen në WhatsApp për të parë mesazhet apo thirrjet. Pas disa javësh me këtë funksionalitet të kufizuar, nëse nuk bini dakord me rregullat e Facebook, nuk do të jeni në gjendje të merrni thirrje hyrëse ose njoftime dhe WhatsApp do t’ju ndalojë të dërgoni mesazhe ose të telefononi dikë.

Në këtë pikë, do të duhet të zgjidhni nëse do të pranoni kushtet ose të mos e përdorni fare WhatsApp-in.

Në janar, Facebook u përpoq të përditësonte kushtet e përdorimit të WhatsApp, por u përball me reagime nga përdoruesit, ku një pjesë e tyre shkarkuan aplikacione alternative si Signal apo Telegram. Disa pretendojnë se nëse pranojnë kushtet e Facebook, ky i fundit do të ketë mundësi të përdorë të dhënat e përdoruesve.

WhatsApp u detyrua të shtyjë përditësimin dhe të krijojë një fushatë për të shpjeguar se marrëveshja e re lidhet vetëm me një seri karakteristikash që u lejon përdoruesve të dërgojnë mesazhe biznesi në aplikacion dhe nuk ka asnjë ndryshim në ndarjen e të dhënave me kompaninë mëmë.

Në Gjermani, autoriteti i privatësisë së Hamburgut ka kërkuar një ndalim emergjent tre-mujor për hyrjen në fuqi të kushteve të reja, duke argumentuar se ato janë të paqarta, jo të qëndrueshme dhe tepër të gjëra. Facebook tha se ndalimi ishte “bazuar në një keqkuptim thelbësor”.


Shtuar 12.05.2021 16:20

Tags: