Sipas Maximilian Kiener, nga Instituti për Etikë në Teknologji pranë Universitetit Teknik të Hamburgut, fuqia llogaritëse e inteligjencës artificiale është e pamohueshme, por në fund të ditës, njeriu është ai që duhet të marrë vendimin e fundit.
Të lidhura
None found
Inteligjenca artificiale shpesh projektohet për të ofruar zgjidhje të menjëhershme dhe të këndshme, qoftë duke sugjeruar rrugë profesionale ose duke imituar një bashkëbisedues terapeutik. Mirësjellja dhe mungesa e kritikës janë karakteristika të ndërtuara qëllimisht, por Kiener paralajmëron se kjo krijon një iluzion të rrezikshëm që gjen besim të madh te përdoruesit.
Sipas tij, pengesa e vërtetë qëndron te gjykimet e vlerave. Pyetje si “Cilën karrierë të zgjedh, avokatinë apo mjekësinë?” nuk kanë një përgjigje objektive dhe të vetme. “E meta e përsëritur është tendenca jonë për t’i futur problemet komplekse në format standard të IA-së”, shpjegon ai.
Për Kienerin, çështje të tilla si arsimimi dhe izolimi shoqëror mbeten në thelb sfida sociale, jo teknike, prandaj IA nuk mund t’i trajtojë mekanikisht. Ai i hedh një vështrim kritik edhe risive të supozuara: “Jo çdo gjë e re përbën inovacion. Më vjen vërtet rëndë të quaj risi imazhet e rreme të fëmijëve.” Sipas tij, etika nuk frenon përparimin, përkundrazi, e orienton atë drejt dobisë së mirëfilltë për njerëzimin. Zgjidhja ideale, thekson ai, lind kur inteligjenca artificiale dhe njeriu bashkëveprojnë që në hapat e parë.
Një qasje tjetër vjen nga Matthias Uhl, profesor i biznesit dhe etikës sociale në Universitetin e Hohenheim, i cili ka krijuar një chatbot Sokratik. Duke përshkruar veçorinë e tij, Uhl tregon se ndryshimi thelbësor me IA-në e zakonshme është se ky model “bën pyetje dhe më ndihmon të gjej rrugën time drejt zgjidhjes, në vend që të më japë përgjigje të gatshme”.
Eksperimentet e ekipit nga universitetet e Hohenheim dhe Bambergut treguan se ky asistent i përshtatur udhëhoqi përdoruesit drejt vendimeve më të ekuilibruara nga pikëpamja morale. Megjithatë, u shfaq një paradoks. Uhl pranon se “IA-ja që thellohet me pyetje zgjidhet më rrallë. Kur njerëzit kanë mundësi, ata parapëlqejnë këshillën e drejtpërdrejtë”.
Në kontrast me publikun e gjerë që u beson lehtësisht asistentëve virtualë, specialistët janë më të rezervuar. Mjekësia është një fushë tipike: sistemet inteligjente analizojnë rrezet X me saktësi dhe shpejtësi superiore, por shumë mjekë hezitojnë t’i pranojnë. Hulumtuesit kanë vënë re se ata që zotërojnë njohuri të thella i vënë në dyshim analizat, edhe kur këto janë më precize. Këtu mund të hyjë në lojë një mekanizëm i ri, beson Uhl.
Ai sugjeron se transparenca e sistemit mbi shkallën e vet të pasigurisë mund të jetë çelësi i besimit më të fortë të përdoruesit. Si shembull, kur inteligjenca artificiale pranon se klasifikimi i saj ka një siguri prej 90 përqind. Skema e re pritet që ekspertët mjekësorë ta testojnë gjatë vitit të ardhshëm.
