Maximilian Kiener, studiues pranë Institutit për Etikë në Teknologji në Universitetin Teknik të Hamburgut, thekson se megjithëse inteligjenca artificiale mund të kryejë përllogaritje komplekse, në fund të fundit njeriu mbetet ai që duhet të vendosë.
Të lidhura
None found
Nga orientimi profesional deri te zëvendësimi i terapistit, inteligjenca artificiale duket se ofron zgjidhje për pothuajse çdo dilemë. Programuesit e këtyre asistentëve dixhitalë i dizenjojnë thuajse pa përjashtim që të jenë të edukuar dhe të shmangin çdo lloj kritike.
Megjithatë, Kiener paralajmëron se kjo përbën një iluzion të rrezikshëm që përdoruesit e pranojnë shumë shpesh pa rezerva. Sipas tij, pikërisht në fushën e gjykimeve vlerore sistemet dështojnë. Kur dikush pyet nëse duhet të studiojë për jurist apo mjekë, nuk ekziston një përgjigje absolute. Ai shprehet se ne priremi t’i fusim problemet e ndërlikuara në format prej të cilave IA nuk di të dalë.
A sjellin vërtet risi pamjet e manipuluara?
Fenomene shoqërore si izolimi social apo sfidat arsimore nuk mund të zgjidhen thjesht përmes rrugëve teknologjike. Kiener është i rezervuar ndaj disa prej aplikacioneve më të reja të IA-së.
Ai argumenton se risitë e vërteta nuk duhen ngatërruar me thjesht gjërat e reja. Për të, është shumë problematike të quhen inovacione imazhet e manipuluara që përfshijnë të mitur.
Për Kiener, etika nuk vepron si pengesë për përparimin e inteligjencës artificiale, por përkundrazi e bën atë vërtet funksionale për njerëzimin. Ai beson se rezultatet më të mira arrihen kur teknologjia dhe njeriu bashkëpunojnë që në hapat e parë drejt zgjidhjes.
Një chatbot që të bën të mendosh
Matthias Uhl, që mban postin e profesorit të etikës sociale dhe biznesit në Universitetin e Hohenheim, ka krijuar një model dialogu të frymëzuar nga Sokrati. Ai shpjegon se dallimi kryesor i kësaj IA-je nga versionet tradicionale është se në vend që të japë përgjigje të gatshme, ajo drejton pyetje dhe e ndihmon individin të arrijë vetë te përfundimet e tij.
Ky sistem gjuhësor u vu në provë nga grupet kërkimore të universiteteve të Hohenheim dhe Bamberg përmes disa testimwve. Të dhënat treguan se chatbot-i i modifikuar arriti t’i orientonte subjektet drejt vendimeve me ekuilibër më të mirë moral.
Sidoqoftë, Uhl pranon se ekipi i tij hasi një vështirësi gjatë aplikimit praktik. Inteligjenca artificiale që bën pyetje shtesë përzgjidhet më pak nga njerëzit. Kur u jepet mundësia e zgjedhjes, përdoruesit parapëlqejnë të marrin këshilla të menjëhershme e të drejtpërdrejta.
Skepticizmi i profesionistëve
Në kontrast me publikun e gjerë që shpesh u beson verbërisht sistemeve inteligjente, specialistët mbajnë qëndrim më dyshues. Fusha mjekësore ofron një shembull të qartë: megjithëse IA mund të skanojë radiografitë me shpejtësi dhe saktësi të konsiderueshme, një numër i madh mjekësh hezitojnë ta përqafojnë këtë risi.
Studimet kanë nxjerrë në pah se ata që zotërojnë njohuri të thella priren të vënë në dyshim analizat e kryera nga IA, edhe në rastet kur këto janë superiore. Uhl shpreson se format e reja të inteligjencës artificiale mund ta kapërcejnë këtë hendek.
Ai sugjeron se nëse vetë mekanizmi shpreh hapur shkallën e pasigurisë së tij, kjo mund të forcojë besimin e marrësit ndaj rekomandimeve. Si ilustrim, kur IA deklaron se ka një siguri 90 për qind mbi klasifikimin që ka kryer.
Planet parashikojnë që profesionistët e shëndetësisë të kenë mundësinë të testojnë këtë sistem të ri të inteligjencës artificiale gjatë vitit të ardhshëm.
