UBTech Robotics ka zbuluar në Kinë një brez të ri robotësh humanoidë, të pajisur me “lëkurë biomimetike” dhe teknologji që u mundëson të kopjojnë shprehjet, si dhe rreth 90 për qind të lëvizjeve të njeriut. Ndryshe nga modelet e destinuara për industri, këta robotë janë zhvilluar kryesisht për të shërbyer si shoqërues personalë.
Modelet Uworld U1 u prezantuan nga kompania gjatë një aktiviteti në qendrën teknologjike të Shenzhenit. UBTech i cilësoi ato si robotët e parë ultra-realistë të kësaj kategorie që prodhohen në masë.
Të lidhura
None found
Për t’u afruar sa më shumë me pamjen dhe ndjesinë e lëkurës së njeriut, trupat e robotëve janë veshur me një material të njohur si “lëkurë biomimetike”.
Kompania deklaron se nyjat e sofistikuara dhe ndërtimi i veçantë i “shtyllës kurrizore” u japin modeleve mundësinë të rikrijojnë afërsisht 90 për qind të lëvizjeve njerëzore.
Uworld U1 ofrohet në variante mashkullore dhe femërore. Roboti mashkullor arrin një gjatësi prej 183 centimetrash, kurse modeli femëror është 169 centimetra i gjatë.
Pesha e tyre është afërsisht sa gjysma e peshës së një personi mesatar me përmasa të ngjashme.
UBTech ka përgatitur tri versione: një model bazë që përfshin vetëm gjysmën e sipërme të trupit, si dhe dy variante me trup të plotë dhe funksione më të avancuara.
Sipas raportimeve, çmimi fillestar është rreth 120 mijë juanë, ose afërsisht 13 mijë funte. Variantet më të sofistikuara mund të arrijnë deri në 990 mijë juanë, përkatësisht mbi 109 mijë funte.
Në vend që të konceptohej si fuqi punëtore për fabrika apo procese industriale, siç ndodh me shumicën e humanoidëve, Uworld U1 është menduar në radhë të parë për shoqërim personal.
Zhou Jian, themeluesi i UBTech, e paraqiti këtë projekt si etapën e radhës në “simbiozën mes njeriut dhe makinës”.
“Fillimisht robotët punojnë në fabrika, më pas hyjnë në shtëpitë tona dhe në fund integrohen pa pengesa në jetën tonë”, deklaroi ai.
Për t’iu afruar këtij objektivi, UBTech është përpjekur t’u japë robotëve një sjellje dhe paraqitje sa më natyrale.
Në trupin e secilit model ndodhen 88 nyja, të cilat komandohen nga motorë me precizion të lartë. Robotët kanë gjithashtu një mekanizëm të dyfishtë rrotullimi në qafë dhe mijëra pjesë të vogla brenda kokës, të nevojshme për krijimin e mimikës së fytyrës.
Sipas Jiao Jichao, nënpresident i UBTech dhe drejtues i institutit të kompanisë për inteligjencën e mishëruar dhe robotikën humanoide, ndërtimi i fytyrës përbënte një prej pengesave teknike më të vështira.
Ai shpjegoi se sfida ishte vendosja e mekanizmave të ndërlikuar brenda një trupi me dimensione njerëzore, pa krijuar përshtypjen se roboti ishte i ngurtë apo jonatyral.
Njëkohësisht, inxhinierët duhej të përputhnin mimikën me emocionet dhe të folurit, duke siguruar që i njëjti nivel cilësie të ruhej edhe gjatë prodhimit masiv.
Secili robot përmban një sistem të integruar të inteligjencës artificiale, i cili është ndërtuar posaçërisht për të ofruar “shoqërim afatgjatë”.
UBTech thotë se kjo teknologji është në gjendje të dallojë mbi 20 gjendje emocionale, me një saktësi më të lartë se 90 për qind.
Sipas përfaqësuesve të kompanisë, modelet mund të bisedojnë me përdoruesin, të mbajnë kontaktin me sy dhe t’i përgjigjen gjendjes së tij emocionale.
Shitja e këtyre robotëve do të bëhet vetëm për persona të rritur.
Interesimi paraprak ka qenë i lartë. UBTech njoftoi se 13.361 persona kanë dorëzuar tashmë një depozitë prej 3 mijë juanësh për të siguruar një vend në listën e porosive paraprake.
Deri në përfundim të vitit, kompania planifikon të dhurojë gjithashtu 100 robotë për kategori të cenueshme.
Pjesë e kësaj nisme do të jenë fëmijët që rriten larg njërit apo të dy prindërve, personat e moshuar që jetojnë të vetëm dhe familjet që gjenden në rrethana të vështira.
Zbulimi i Uworld U1 nxiti reagime të shumta dhe të kundërta në rrjetet sociale.
Një pjesë e përdoruesve shprehën admirim për teknologjinë dhe realizmin e pamjes, duke i krahasuar modelet me personazhe nga filmat fantastiko-shkencorë.
Të tjerë e vlerësuan kalimin në prodhim masiv të robotëve me një nivel të tillë realizmi dhe inteligjence emocionale.
Nga ana tjetër, shumë komentues e konsideruan shqetësuese paraqitjen e tyre dhe ngritën pikëpyetje mbi dobinë praktike të këtyre modeleve.
Disa i përshkruan robotët si manekinë që u janë shtuar një mikrofon dhe inteligjencë artificiale. Të tjerë bënë shaka rreth frikës se një ditë ata mund të paraqesin rrezik për pronarët e tyre.
Debati mbi sigurinë zhvillohet pas disa incidenteve me robotë humanoidë në Kinë, pamjet e të cilave u përhapën gjerësisht në internet.
Në mars, gjatë një shfaqjeje në provincën Shaanxi, një robot i prodhuar nga kompania Unitree goditi pa dashje një djalë të vogël.
Teksa kryente lëvizje të gjera me krahë dhe afrohej pranë turmës, roboti u rrotullua dhe e goditi fëmijën në kokë.
Një rast tjetër ndodhi në një aktivitet sportiv në rajonin Xinjiang. Roboti po demonstronte teknika të arteve marciale, por humbi ekuilibrin dhe u rrëzua pasi disa fëmijë hynë në fushë, ndërsa vazhdoi të kryente goditje të pakontrolluara me këmbë.
Incidente të tilla kanë forcuar shqetësimet rreth sigurisë, sidomos nëse humanoidët vendosen në ambiente shtëpiake ku mund të jenë pranë fëmijëve, të moshuarve apo personave të cenueshëm.
Pavarësisht këtyre pikëpyetjeve, UBTech e sheh Uworld U1 si një zhvillim të rëndësishëm drejt një të ardhmeje ku robotët nuk do të përdoren vetëm si mjete pune, por do të bëhen edhe pjesë e përditshmërisë së njerëzve. /GazetaExpress/
