Hidh një h’app… telefono +355696796000 dhe shkarko aplikacionin!

Në media vazhdojnë të raportohen raste vrasjesh e dhune ndaj grave e vajzave.

Ndaj nëpër rrugët e qyteteve rikthehen tubimet masive e në rrjetet sociale po përcillen çdo herë e më fort mesazhe dhe thirrje për t’u marrë masa dhe inciativa konkrete për ta luftuar këtë fenomen.

Vodafone Albania, si një prej kompanive me kontribut të lartë në kauzat sociale në vend, ka vënë në dispozicion teknologjinë si mjet për të çuar ndihmën, këshillimin dhe informacionin kudo nëpër Shqipëri. Nëpërmjet Fondacionit Vodafone Albania, Vodafone ka prezantuar së fundmi edhe në Shqipëri një aplikacion, informues dhe këshillues virtual për çështjet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

“Hidh një h’app! është thirrja që Fondacioni Vodafone Albania i bën kujtdo për të shkarkuar aplikacionin dhe marrë informacion si mund të ndihmojnë veten apo të afërm e të njohur, për të dalë nga marrëdhëniet abuzive.

Aplikacioni, emri i të cilit nuk bëhet publik për arsye sigurie, ndahet në dy kategori: informues dhe këshillues, për personin që mund të jetë subjekt dhune dhe për këdo që dëshiron të ndihmojë një të afërm që mund të ndodhet në një situatë dhune. Aplikacioni përmban një udhëzues me informacion të plotë për rastet e dhunës, hapat që duhen ndjekur për të dalë nga situata, numrat e shërbimeve të specializuara që mundësojnë mbështetje, si dhe qendrat, OJF-të e këshillimit, strehimit dhe integrimit në shoqëri, për viktimat e dhunës, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Aplikacioni i zhvilluar nga Hestia dhe Fondacioni Vodafone gjeti mbështetjen dhe bashkëpunimin e Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Shëndetësise dhe Mbrojtjes Sociale, Policisë së Shtetit dhe UN Ëomen Shqipëri. Grupi i punës me pjesëmarrjen e këtyre institucioneve mundësoi përmbajtjen e këtij aplikacioni për t’i hapur rrugë këshillimit dhe mbështetjes edhe virtualisht për këdo.

Një pyetësor i shkurtër brenda aplikacionit ndihmon përdoruesit të vlerësojnë sigurinë e marrëdhënies në të cilën ata janë përfshirë. Gjithashtu, aplikacioni përmban informacion në lidhje me forma të ndryshme të abuzimit në një marrëdhënie, format e dhunës ne familje dhe asaj me baze gjinore, mekanizmat e mbështetjes në dispozicion për këdo që do të dalë nga një situatë dhune apo nga një marrëdhënie abuzive, si dhe për këdo që do të mbështesë, ndihmojë dhe informojë një mik, shok a të afërm që ndodhet në një situatë të vështirë.

Aplikacioni është falas dhe i disponueshëm në anglisht dhe shqip në App Store dhe Google Play Store.

Të interesuarit mund të telefonojnë në numrin +355696796000 ose të dërgojnë një email në [email protected] për t’u informuar mbi emrin e aplikacionit dhe funksionalitetin e tij.


Shtuar 17.09.2021 15:43