Inteligjenca artificiale gjenerative ka ndihmuar dy fizikanë, përfshirë laureatin e Çmimit Nobel Giorgio Parisi, të zgjidhin një problem matematikor që kishte mbetur pa përgjigje për më shumë se një dekadë.
Të lidhura
None found
Puna shkencore, e publikuar më 1 korrik, trajton konceptin e njohur si “bllokim”. Ai shpjegon kalimin e menjëhershëm nga një gjendje e lëngshme në një formë të ngurtë, por të çrregullt. Fenomeni mund të përfytyrohet përmes një tavoline bilardoje: me shtimin e vazhdueshëm të topave, hapësira zvogëlohet derisa mbushet plotësisht dhe secili top mbetet i palëvizshëm, duke krijuar gjendjen e bllokuar.
Parisi dhe Francesco Zamponi e kishin analizuar këtë dukuri në një studim të vitit 2014. Përmes llogaritjeve numerike, ata kishin konstatuar se dy parametrat a dhe b përmbushnin në çdo rast barazimin a + b = 1, por nuk kishin mundur të jepnin një provë matematikore për këtë marrëdhënie.
Në të njëjtin rezultat kishte mbërritur edhe fizikani Matthieu Wyart, ndonëse kishte ndjekur një metodë krejtësisht të ndryshme. Kjo përputhje tregonte se pas saj mund të qëndronte një shpjegim fizik më i thellë, megjithatë misteri mbeti i pazgjidhur për vite.
Pas një dekade pa përparim, Parisi iu drejtua Claude, një modeli të inteligjencës artificiale. Fillimisht, IA-ja arriti të riprodhonte rezultatet e mëparshme, ndërsa më pas iu kërkua të argumentonte arsyen pse a + b = 1. Zamponi tha se ideja themelore e propozuar nga modeli ishte e drejtë që në përgjigjen e parë, pavarësisht disa pasaktësive të vogla.
Studiuesve iu deshën rreth 40 udhëzime për të ndërtuar një zgjidhje të plotë, të përshtatshme për publikim. Përfundimi tregoi se përgjigjja ndodhej brenda vetë ekuacioneve dhe se nuk kërkoheshin supozime të tjera.
Rasti dëshmon se IA-ja mund të ofrojë këndvështrime të reja dhe të kontribuojë në zgjidhjen e problemeve komplekse. Sidoqoftë, studiuesit nënvizojnë se ndërhyrja njerëzore vazhdon të jetë vendimtare, veçanërisht në formulimin e ideve kryesore dhe në interpretimin e përfundimeve.
Zamponi po e zbaton tashmë të njëjtën mënyrë pune edhe në probleme të tjera. Ai e konsideron bashkëpunimin me inteligjencën artificiale një instrument që mund të përshpejtojë kërkimin dhe të ndihmojë në nxjerrjen e ideve të reja.
