Konsumatorët në Shtetet e Bashkuara do të mund të marrin me qira pajisje Apple përmes një programi të ri leasing-u, i cili nis të martën në bashkëpunim me platformën e pagesave Klarna. Shërbimi do të jetë i aksesueshëm në dyqanet fizike të kompanisë, në faqen e saj zyrtare dhe përmes aplikacionit Apple Store.
Të lidhura
None found
Nisma përfshin iPhone, Mac dhe produkte të tjera të Apple, pagesa e të cilave do të ndahet në këste mujore. Programi prezantohet në një periudhë kur pajisjet elektronike po shtrenjtohen, ndërsa konsumatorët po i përdorin telefonat për intervale më të gjata.
Për modelet iPhone dhe Apple Watch do të ofrohen kontrata me kohëzgjatje 12 ose 24 muaj. Ndërkohë, kontratat për Mac dhe iPad do të jenë 24 ose 36-mujore.
Oferta mbulon pajisjet më të fundit, përfshirë iPhone 17, iPhone Air, Apple Watch Series 11, Apple Watch Ultra 3, MacBook Air, MacBook Pro, iMac, Mac Studio, iPad Air, iPad Pro dhe iPad Mini. Jashtë programit mbeten produktet më ekonomike të kompanisë, mes tyre iPhone 16, MacBook Neo, iPad bazë dhe Apple Watch SE.
Sipas Apple, skema e re do të zërë vendin e iPhone Upgrade Program. Në këtë mënyrë, pagesat me këste shtrihen përtej iPhone-it edhe te produkte të tjera, ndërsa klientëve u ofrohen alternativa më fleksibël.
Pagesa më e ulët mujore për leasing-un e një iPhone-i është 17.99 dollarë. Në krahasim, programi i mëparshëm për përmirësimin e iPhone-it kishte një tarifë fillestare prej rreth 42 dollarësh në muaj.
Vlerësimi i ekspertëve të tregut është se Apple po përpiqet ta afrojë marrjen e pajisjeve të saj me modelin e një abonimi mujor. Kjo lëvizje vjen teksa çmimet në rritje po i shtyjnë përdoruesit ta vonojnë zëvendësimin e telefonave.
Skema bëhet publike vetëm pak javë para lançimit të gjeneratës së ardhshme të iPhone-ve. Gjatë këtij prezantimi, Apple pritet të zbulojë edhe telefonin e saj të parë me ekran të palosshëm, i cili, sipas raportimeve, mund të jetë pajisja më e kushtueshme që kompania ka nxjerrë deri tani.
