Disa pronarë të Chevrolet Corvette ZR1 kanë konstatuar një problem të pazakontë: krahu i madh aerodinamik në pjesën e pasme mund të shkaktojë dëmtime në bojën e këtij modeli sportiv.
Të lidhura
None found
Shqetësimi lidhet me paketën ZTK Performance Package, të zhvilluar për përdorimin e automjetit në pistë dhe për garantimin e një stabiliteti më të lartë gjatë lëvizjes me shpejtësi të mëdha.
I prodhuar nga fibra karboni, krahu i pasmë krijon një forcë të konsiderueshme shtypëse (downforce), e cila ndihmon që makina të qëndrojë më fort mbi asfalt. Megjithatë, në disa raste, pikërisht kjo forcë po dëmton karrocerinë.
Raportimet tregojnë se presioni i ushtruar nga krahu mund të përkulë lehtë pjesë të trupit të automjetit. Si pasojë, boja pranë pikave ku ai është montuar mund të plasaritet ose të pësojë dëmtime të tjera.
General Motors e ka pranuar se ky problem ekziston dhe ka marrë përsipër kostot e riparimeve për disa nga pronarët e prekur.
Sipas kompanisë, defekti paraqitet kryesisht kur makina përdoret në kushte ekstreme, përfshirë drejtimin në pistë ose udhëtimin me shpejtësi shumë të larta.
Chevrolet Corvette ZR1 renditet mes modeleve më të fuqishme që kompania ka prodhuar ndonjëherë. Automjeti ka një motor V8 biturbo me rreth 1.064 kuaj/fuqi, ndërsa aerodinamika e tij është konceptuar për të ofruar performancë maksimale në kushte garimi.
Ky rast ka ngjallur interes në industrinë e automobilizmit, pasi një komponent i projektuar për të rritur aftësitë e makinës po shndërrohet njëkohësisht në shkak dëmtimi për vetë automjetin.
