A mund të ndiesh mungesën e diçkaje që nuk e ke pasur asnjëherë, madje pa qenë i sigurt nëse ka ekzistuar përtej zërave? Ne besojmë se po.
Të lidhura
None found
Rasti në fjalë është SUV-i i BMW-së i konceptuar për terrene të vështira, për të cilin BMWBlog raporton se është anuluar. Sipas njoftimit, prodhuesi gjerman i automjeteve ka braktisur planet për këtë model të aftë për të gjitha terrenet, i cili tashmë na mungon, transmeton Telegrafi.
Burime të njohura me këtë çështje kishin bërë të ditur se nisja e prodhimit ishte parashikuar për gjysmën e dytë të vitit 2029.
Automjeti njihej brenda kompanisë me kodin G74 dhe planifikohej të ndërtohej në të njëjtën platformë me X5 të ri, të prezantuar në fund të qershorit.
Sipas pritshmërive, modeli do të ishte një SUV me tre rreshta ulësesh, i pajisur me një sistem fuqie me djegie të brendshme dhe i përshtatur për përdorim në të gjitha terrenet.
Informacionet e para e paraqisnin G74 si konkurrent të automjeteve të tjera luksoze për terrene të vështira, përfshirë Mercedes-Benz G-Wagen dhe Land Rover Range Rover.
BMWBlog raportoi se ideja për këtë projekt lindi pasi brenda kompanisë u testua një kamionetë Rivian R1T. Megjithëse në fillim pati entuziazëm për zhvillimin e tij, burimet e cituara thonë se BMW arriti në përfundimin se tregu luksoz i automjeteve jashtë rrugës ishte tepër i kufizuar për të arsyetuar investimin e nevojshëm.
Megjithatë, duhet nënvizuar se BMW nuk e konfirmoi asnjëherë ekzistencën e G74. Nëse raportimet për anulimin janë të sakta, kompania potencialisht mund të mos e pranojë kurrë zyrtarisht këtë projekt.
Një përfaqësues i prodhuesit të automjeteve nuk pranoi t’i përgjigjej kërkesës së Car and Driver për konfirmimin e raportimit të BMWBlog. /Telegrafi/
