ZYRTARE/ UEFA lejon kombëtaret të grumbullojnë më shumë lojtarë se zakonisht për Europianin

Një lajm që padyshim do të gëzojë trajnerët është ai që UEFA ka zyrtarizuar ditën e sotme. Është vendosur që kombëtaret për Europianin që do të startojë në verë të kenë mundësinë të grumbullojnë 26 futbollistë dhe jo 23 si zakonisht.

Kjo lëvizje vjen si pasojë e pandemisë e cila ka ndikuar shumë në botën e futbollit dhe ka shkaktuar një ngjeshje të madhe të ndeshjeve duke bërë që lodhja te futbollistët të ndihet së tepërmi. Në këtë formë, UEFA iu jep mundësinë trajnerëve të kenë më shumë përzgjedhje dhe të bëjnë më shumë lëvizje edhe përgjatë kompeticionit.

Sakaq, lista zyrtare e lojtarëve të grumbulluar nga kombëtaret duhet të bëhet e ditur deri më datë 1 qershor, 10 ditë para se të nisë turneu. Ndërkaq, zëvendësimet në listë mund të bëhen deri një ditë para ndeshjes së parë dhe gjithnjë nëse bëhet fjalë për ndonjë dëmtim apo sëmundje, përfshirë edhe infektimin me COVID-19.


Shtuar 4.05.2021 13:41

Tags: ,