Zidane i sigurtë: Reali im mund të fitojë gjithçka

Reali i Madridit vuajti por në fund doli me tre pikë nga sfida e zhvilluar në Alredo Di Stefano ndaj Osasunas ndeshje që e zgjidhën Eder Militao dhe Casemiro me golat e tyre në çerek-orëshin e fundit. Falë suksesit ndaj skuadrës nga Pamplona Los Blancos iu kundërpërgjigjën Atleticos kryesuese dhe mbetën në garë për titullin. Zinedine Zidane ka besim se Reali i Madridit i ka të gjitha mundësitë në këtë sezon për të fituar si kampionatin ashtu edhe Champions League. Gjithsesi ndeshja ndaj Osasunës kishte dhe anët e saj negative pasi në këtë duel u dëmtua qëndërmbrojtësi kryesor i skuadrës Raphael Varane.

“Varane? Shpresoj të jetë diçka jo serioze, por nuk mund t’ju them më shumë për momentin. Varane thotë se është dhimbje e lehtë dhe shpresoj se është. Shumë gjëra na kanë ndodhur, por ndaj Osasunas kemi marrë tre pikë më shumë dhe do të luftojmë deri në fund. Ne mundemi! Nuk po them se ne do të fitojmë gjithçka, por do të bëjmë çka mundemi që të përpiqemi të fitojmë. Hazard bëri shumë mirë, veçanërisht pranë Benzema. Them se u paraqit mirë. Ndaj Osasunas ishim shumë mirë fizikisht dhe mendërisht. Luajmë çdo tre ditë dhe këto dy detaje janë shumë të rëndësishme”, u shpreh Zidane.

Pas 34 javësh në La Liga Reali i Madridit numëron 74 pikë dhe javën e ardhshme do të ketë një sfidë vendimtare në garën për titull pasi do të sfidojë një rival direkt si Sevilla, ndërkohë që nuk duhet harruar që në mesjavë Los Blancos do të luajnë ndaj Chelsea-t në Stamford Bridge gjysmëfinalen e dytë të Champions League, ndeshje që vlen një biletë në finalen e madhe të Stambollit.

 


Shtuar 2.05.2021 16:26