Zbulohet basti i veçantë i Asllanit te Interi, Arnautoviç dhe Fratezi duhet t’i bëjnë dhuratë mesfushorit shqiptar

Kristjan Asllani po bëhet gati të marrë dhurata nga shokët e skuadrës dhe do të vazhdojë të marrë të tilla sa herë që disa prej tyre do të tundin rrjetën. Kjo është rrjedhojë e një basti që disa futbollistë të Interit, mes të cilëve edhe shqiptari, kanë vendosur mes tyre.

Më saktësisht bëhet fjalë për lojtarë që në klubin zikaltër për momentin cilësohen si zgjedhje të dyta, specifikisht Asllani,Arnautoviç, Karlos Augusto dhe Fratezi, shkruan Panorama Sport.

Pikërisht ky i fundit ka zbuluar gjatë një interviste për mediat italiane bastin e veçantë që kanë vendosur me njëri-tjetrin këta lojtarë.

“Para ndeshjes me Atletikon, unë, Arnautoviç, Asllani dhe Karlos Augusto kemi vendosur që për çdo gol, kush shënon, i bën një dhuratë tre të tjerëve. Po presim dhuratën e Arnautovic, por me golin që i shënova Leçes, do ta kem radhën edhe unë”, shpjegoi mesfushori i Interit.


Shtuar 27.02.2024 12:31