Si lojtar, sigurisht se gjërat shkuan mirë për Alonson. Kur vendosi të tërhiqej në verën e vitit 2017, Alonso u largua nga loja aktive duke fituar çdo trofe të madh në futbollin botëror që mund të fitohej.
Ishin titujt e panumërt të ligave që ai i mblodhi me Real Madridin dhe Bayern Munichun, pastaj trofetë e Ligës së Kampionëve, me Liverpoolin e Realin. Dhe me Spanjën, ai fitoi kupën e Botës dhe dy herë u shpall kampion i Evropës. Si lojtar, Alonso ishte gjithmonë drejtuesi i ekipit. I njohur për aftësinë e tij teknike, pasimet e sakta dhe lojën taktike, Alonso diktoi ritmin pothuajse në çdo ndeshje.
“Ai ishte trajner kur ishte lojtar aktiv”, thotë Luis Garcia, i cili ka luajtur me Alonson te Liverpooli.
Duke folur nga San Sebastiani në Spanjë, ku ai tani jeton dhe punon, Alonso e përshkruan veten si lojtar që ishte si një trajner në fushë.
“Ndonjëherë trajneri nuk ka kohë për të dhënë një udhëzim në fushë. Kështu që, ka nevojë për lojtarët që të jenë në gjendje t’i marrin ato vendime. Dhe, kjo ishte puna ime në fushë kur luaja. Gjatë këtij procesi, unë jam përpjekur të jem trajner”, shton Alonso.
Për të filluar karrierën e tij të trajnerit, Alonso filloi në nivelin e të rinjve në Real Madrid, ku udhëhoqi ekipin U-13, dhe tani ai është kthyer aty ku gjithçka filloi për të, në Real Sociedad. Edhe pse bëri karrierë te Liverpooli, Reali e Bayerni, Alonso gjithmonë ka qenë i lidhur me rajonin bask të Spanjës veriore. Në fakt, ai hapat e parë si futbollist profesionist i nisi te Sociedadi.
“Fillova këtu, kështu që për mua kishte kuptim të kthehesha në rrënjët e mia. Deri më tani unë me të vërtetë po mësoj dhe projekti që kemi në Real Sociedad është fantastik. Dhe për mua është një privilegj dhe kënaqësi e madhe të jem këtu për të punuar me lojtarët e rinj dhe për t’i zhvilluar ata”, tha ai.
E Alonso tashmë ka filluar të shquhet si trajner, pasi e ndihmoi ekipin B të Sociedadit që të promovohet në divizionin e dytë të Spanjës. Ai thotë se krahas sukseseve, synon gjithashtu të prodhojë lojtarë për ekipin e parë. Alonso është stërvitur nga disa legjenda në karrierën e tij. Së bashku me Xavi Hernandezin dhe Andres Iniestan, ai formoi bazën spanjolle të mesfushës në të cilën Vicente del Bosque u mbështet për të çuar ekipin drejt tre trofeve të mëdhenj. Ndërsa, ka luajtur edhe nën drejtimin e Carlo Ancelottit, Rafael Benitezit, Jose Mourinhos dhe Pep Guardiolas në nivel klubi.
“Unë isha mesfushor, kështu që më pëlqen kontrolli dhe më pëlqejnë skuadrat e mia të kontrollojnë lojën, të luajnë futboll të mirë”, tha Alonso për filozofinë e tij.
Edhe pse është ende në fillimet e karrierës së tij, shumë ekspertë tashmë po parashikojnë një të ardhme të ndritur për Alonson.
“Unë mendoj se ai mund të jetë po aq i mirë sa Guardiola”, thotë eksperti spanjoll i futbollit, Ernest Macia, i cili ka kaluar vite duke parë Alonson duke luajtur.
Macia thotë se Alonso “do të jetë me siguri në krye të Spanjës një ditë” dhe do të ishte një “hap shumë i natyrshëm për të”, por para kësaj ai pret ta sheh ish-futbollistin si trajner të ndonjë ekipi të madh evropian. Përveç shkëlqimit në futboll dhe stërvitje, Alonso është po aq i talentuar në të folurit e shumë gjuhëve. Ai flet rrjedhshëm gjuhën spanjolle, angleze e gjermane dhe kjo sigurisht që do të hap shumë dyer për të. Në fillim të këtij viti, u raportua se Alonso do të bëhej trajneri i Borussia Monchengladbachut.
“Në futbollin ndërkombëtar, të folurit e shumë gjuhëve është e dobishme”, thotë ish-mbrojtësi i Liverpoolit, John Scales.”Kështu që, unë e shoh Alonson fillimisht si trajner të Liverpoolit”.
Alonso, megjithatë, është i shpejtë për të qetësuar çdo bisedë për një rikthim të mundshëm në Anfield.
“Unë jam këtu në San Sebastian dhe tifozët e Liverpoolit ende më mbështesin. Për mua kjo ndjenjë në jetë është e mrekullueshme. Tani për tani Juergen Klopp po bën një punë të shkëlqyeshme”, tha ai.