Xabi Alonso thuhet se ka vendosur për lojtarin tjetër që dëshiron t’i bashkohet skuadrës së Real Madrid këtë verë, pasi tashmë ka mirëpritur Trent Alexander-Arnold, Dean Huijsen dhe Franco Mastantuono.
Alons deri tani ka udhëhequr skuadrën e Real Madrid drejt tre fitoreve dhe një barazimi në katër ndeshjet e para në krye të ekipit në Kupën e Botës për Klube, me fitoren e fundit 1-0 ndaj Juventusit që siguroi një përballje çerekfinale me Borussia Dortmund.
Dhe përforcimet e reja Alexander-Arnold dhe Huijsen, janë aktivizuar të dy katër herë nga Alonso deri tani, ndërsa Mastantuono luajti për River Plate në këtë garë dhe do t’i bashkohet madrilenëve më 14 gusht, kur të mbushë 18 vjeç.
Sipas gazetarit Jorge Picon, klubi mund të jetë ende në pritje për të nënshkruar me mbrojtësin e majtë spanjoll të Benficas, Alvaro Carreras.
“Real Madrid nuk e ka mbyllur derën për afatin kalimtar, por nuk po punon për asnjë lëvizje tjetër përveç asaj të Carreras për këtë verë”.
“Vetëm një largim apo paraqitja e një mundësie do të mund ta ndryshonte këtë skenar, por mendohet se skuadra është mjaft konkurruese”, ka shkruar Picon në X.
Që në maj, gazeta Daily Mail raportonte se Real Madridi ishte në bisedime për një lëvizje për ish-mbrojtësin e majtë të Manchester United.
Madje, sipas të përditshmes spanjolle Relevo, thuhet se marrëveshja është kërkuar vetë nga Alonso.
Spanjolli, i cili ka kontratë me Benfican deri në verën e vitit 2029, ka shënuar katër gola dhe ka dhuruar pesë asistime gjatë sezonit 2024/25, teksa skuadra e tij u rendit e dyta pas Sporting Lisbonës në Primeira Liga.
Nëse 22-vjeçari i bashkohet ‘Los Blancos’, ai do të konkurronte me Fran Garcia, David Alaba dhe Ferland Mendy për një vend në formacionin e Alonsos.