West Ham është fituese e Conference League, teksa në “Fortuna Arena” të Pragës triumfoi 1-2 ndaj Fiorentinës.
Sinjalin e parë në këtë sfidë e lëshoi Rolando Mandragora, i cili shkaktoi jo pak drithërima në tribuna me një goditje nga distanca.
Pas gjysmë ore lojë, një incident bëri që takimi të ndalej. Teksa po merrte përsipër ekzekutimin e një goditje këndë, Biraghi gjakoset në kokë, pasi tifozët e ekipit anglez e kishin goditur me gota plastike dhe çakmakë.
Episodi më i rëndësishëm i pjesës së parë i takoi minutës së 45-të, kur Jovic realizoi gol me kokë, por festa e skuadrës vjollcë zgjati vetëm pak sekonda, pasi u anulua nga VAR për pozicion jashtë loje. Për vendimin u nevojit përdorimi i sistemit VAR, me teknologjinë që tha fjalën e vet pas disa sekondash.
West Ham fitoi penallti në minutën e 60-të pas një prekje të topit me dorë nga Biraghi. “Hammers” kaluan në epërsi falë një ekzekutimi perfekt të Benrahma nga pika e bardhë.
Të besuarit e Italianos reaguan shumë shpejt dhe vendosën ekuilibrat falë një gjuajtje të bukur të Bonaventura. Atëherë kur u mendua se skuadrat do t’i drejtohen shtesës, Bowen i dha trofeun West Hamit.