Vllaznia feston 105-vjetorin e themelimit, Dervishaj: Klubi shkodran, një vlerë e padiskutueshme e futbollit shqiptar

Klubi i futbollit Vllaznia ka festuar 105 vjetorin e themelimit. Në festimet e organizuara morën pjesë edhe Zv. Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, së bashku me anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Abdyl Kuriu.

Gjatë fjalimit të tij, Zv. Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj uroi klubin shkodran për këtë përvjetor të rëndësishëm dhe historik, duke i përcjell edhe përshëndetjet e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të Presidentit Armand Duka.

“Kam kënaqësinë të ndodhem sot mes jush, në këtë përvjetor të rëndësishëm dhe historik, për klubin tuaj. Ju përshëndes dhe ju uroj, në emër të të gjithë komunitetit të futbolli shqiptar. Gjithashtu, ju sjell përshëndetjet e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të Presidentit Armand Duka, për këtë datë jubilare që ju, festoni sot. Gëzuar dhe suksese të mëtejshme në punën tuaj”- tha fillimisht Zv. Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj.

Më tej, ai shtoi se Vllaznia ka qenë dhe mbetet një vlerë e padiskutueshme e futbollit në vend, që ka prodhuar gjithmonë potenciale futbollistësh të cilët, i kanë shërbyer jo vetëm Vllaznisë por edhe Kombëtares duke u bërë simbole të saj, që nga Loro Boriçi e deri te Elseid Hysaj.

“Vllaznia, ka qenë dhe mbetet një vlerë e padiskutueshme e futbollit në vend. Një skuadër që ka prodhuar gjithmonë potenciale futbollistësh të cilët, i kanë shërbyer jo vetëm Vllaznisë por edhe Kombëtares duke u bërë simbole të saj. Vllaznia mbetet një nga vlerat e padiskutueshme të qytetit dhe të gjithë Shqipërisë dhe çka është më e rëndësishmja një burim frymëzimi për rininë shkodrane. Një shembull me vlerë, që duhet ndjekur” – tha Zv. Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj.

Veç urimeve të shumta, Zv. Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, i dhuroi Vllaznisë fanellën e Shqipërisë me numrin 105, që simbolizon përvjetorin e themelimit të klubit shkodran.


Shtuar 17.02.2024 13:59