VIDEO / Ish-ylli i Liverpoolit mashtroi me mjeshtëri Macronin, presidenti i Francës pastaj shkaktoi faull të ashpër

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron mori pjesë në ndeshjen humanitare të futbollit “Pièces jaunes”, e cila u mbajt për financimin e projekteve për të mbështetur fëmijët dhe adoleshentët e shtruar në spital.

Në ndeshjen që u luajt në Plaisir, gjyqtare kryesore e ndeshjes ishte Stephanie Frappart, ku morën pjesë legjenda të futbollit si Didier Deschamps, Didier Drogba, Christian Karembeu dhe Eden Hazard.

Macron shënoi gol nga penalltia në një ndeshje që përfundoi me rezultat 5-2 në favor të skuadrës së tij.

Megjithatë, ajo që “fitoi” në rrjetet sociale ishte lëvizja e ish-lojtarit të Liverpool-it, El-Hadji Diouf kundrejt tij.

Senegalezi bëri disa driblime dhe ia futi topin nën këmbë Macronit, i cili nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të faullonte Dioufin.

Përveç Liverpoolit, Diouf luajti për Sochaux, Rennes, Lens, Bolton, Sunderland, Blackburn, Rangers dhe Doncaster, Leeds dhe Sabah.

Ai luajti 70 ndeshje për kombëtaren e Senegalit dhe shënoi 24 gola. /Telegrafi/


Shtuar 26.04.2024 16:42