Uzuni e Cikalleshi, “më të mirët”, dy sulmuesit shënuesit kryesorë “Kuqezinj” në 2023

Kombëtarja shqiptare më në fund ka mjaft sulmues të rëndësishëm, por dy prej tyre mund të veçohen dhe këta janë Myrto Uzuni e Sokol Cikalleshi.

Ndërsa bëhet bilanci i këtij viti, kjo dyshe shpallet më më e mira për numrin e golave të shënuar në 2023.

Uzuni e nisi janarin në Ligën e Dytë të Spanjës ku edhe fitoi Këpucën e Artë në fund të sezonit me 23 rrjeta.

Në total, në 2023, ai ka 17 gola, nga të cilët 12 në ligën e dytë, dhe 5 këtë edicion në La Liga, pra në elitën e futbollit spanjoll.

Edhe pse nuk mund të fitojë Këpucën e Artë në një nivel të tillë, sërish 5 golat në La Liga nuk janë aspak për t’u hedhur poshtë, aq më tepër që luan me një ekip modest si Granada.

Cikalleshi nuk mbetet më poshtë, edhe pse luan në një kampionat më pak të fortë.

Sulmuesi kavajas pati po 17 gola në 2023, realizuar në elitën e Arabisë Saudite dhe të Turqisë.

Veterani kuqezi pati 9 gola në Ligën Profesioniste Saudite dhe deri tani ka 8 në Super Ligën turke.

Kjo dyshe ndiqet nga shumë pranë prej sulmuesit tjetër të kombëtares, Taulant Seferi.

Ish-ylli I Tiranës realizoi 9 herë në Premier Ligën e Ukrainës dhe shtoi 6 rrjeta për ekipin e tij, Banias, në Ligën Pro të Emirateve të Bashkuara Arabe, duke pasur një gol edhe në Kupë.

Në total, ai ka shënuar 16 herë, ndërsa sulmuesit e tjerë të njohur kuqezinj si Broja e Manaj patën probleme këtë vit. /abcnews.al


Shtuar 31.12.2023 16:36