Një nutricioniste ka sfiduar besimin popullor se pijet e ftohta janë zgjidhja më e mirë për të përballuar temperaturat e larta të verës. Urata Rexhepi, gjatë një interviste në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, theksoi se pirja e çajit të ngrohtë në realitet mund të jetë një alternativë më efikase për të freskuar organizmin sesa konsumimi i ujit shumë të ftohtë.
Sipas shpjegimit të saj, logjika qëndron në mekanizmin e brendshëm të rregullimit të temperaturës trupore. Ajo tregoi se trupi i njeriut mban një temperaturë konstante rreth 37 gradë Celsius. Kur ne konsumojmë lëngje jashtëzakonisht të ftohta, trupi detyrohet të harxhojë energji shtesë për ta ngrohur lëngun dhe për ta sjellë atë në ekuilibër me temperaturën e brendshme. Ky proces, në vend që të na freskojë, e ngarkon organizmin.
Të lidhura
None found
Në anën tjetër, Rexhepi sqaroi se lëngjet në temperaturë ambienti ose të ngrohta, siç është çaji, nuk e detyrojnë trupin të ndërmarrë këtë përpjekje balancuese. Pikërisht për këtë arsye, shumë individë përjetojnë një ndjesi freskie më të theksuar pasi pijnë një filxhan çaj të nxehtë në një ditë përvëluese, një fenomen që duket paradoksal në pamje të parë.
