U dënua si mafioz, ish-kapiteni i Palermos reagon për herë të parë pas lirimit

Ish-sulmuesi i njohur italian, Fabricio Miccoli i cili u dënua për tentativa zhvatje me metoda mafioze, pas një çështje gjyqësore që zgjati më shumë se 10 vite, ka gëzuar të drejtën e lirisë me kusht.

Ai përfundoi pas hekurave në burgun e Rovigo, por është lënë i lirë që më 13 maj, pas 6 muajsh në qeli, pasi gjykata vendosi t’i jepte lirinë me kusht në një periudhë prove.

Ish-sulmuesi duhej të kryente 3 vite e 3 muaj burg në Itali, për përfshirjen me disa prej klaneve mafioze si dhe për deklarata që janë ndeshur gjatë përgjimeve të personave me të cilët shoqërohej, kundër Xhiovani Falkone i cili u vra pas një atentati mafioz.

Tani, për Miccolin ka ardhur koha e “reflektimeve” dhe e ka bërë një të tillë nëpërmjet një postimi të gjatë në rrjetet sociale.

“Dymbëdhjetë vite më parë kam bërë një gabim të madh. Një nga ata që të ndryshojnë jetën. Kisha gjithçka, isha kapiteni i Palermos, bëja punën që kisha ëndërruar gjithmonë të bëja, që kur isha fëmijë dhe njerëzit e Palermos më bënin të ndjehesha si në shtëpi.

Në këto 12 vite të gjata kam preferuar gjithmonë heshtjen. Kam lexuar nga të gjitha gjërat por nuk kam replikuar kurrë.

Kur je një futbollist i Serisë A ka shumë vëmendje. Shumë persona duan një pjesë tënden. Shumë të njohin por ti nuk njeh asnjë, nuk e di kujt mund t’i besosh.

Në realitet kam bërë më shumë se një gabim. Gabimi i parë i madh ishte ai që u tregova i gatshëm me të gjithë. Kush ka jetuar në ato vite në Palermo e di këtë.

Gabimi i dytë ishte ai që përdora fjalë të gabuara, fjalë që nuk i mendoja dhe që nuk do t’i mendoj kurrë. Shpesh, kur je në majë, ndjehesh i pathyeshëm… por në fakt je vetëm njerëzor.

Kam kërkuar ndjesë shumë kohë më parë për ato fjalë dhe e bëj përsëri. Vitin e kaluar erdhi ndëshkimi, dënim që nuk e ndaj pasi ndjehesha larg nga ajo botë, por dënim që e kam respektuar duke u prezantuar në mënyrë spontane para një burgu të sigurisë të lartë të nesërmen, gjithmonë për zgjedhje timen, për të vuajtur dënimin tim.

Një ditë aty brenda duket e pafundme, 6/7 muaj. Një përjetësi. Dënimin më të rëndë e a kam kaluar në këto 12 vite, çdo ditë, duke e parë veten përkrah diçkaje që nuk jam e nuk më përket.

Disa javë më parë u ktheva në liri. Nuk kërkoj që të më kuptoni, nuk kërkoj që të harrohet ajo që ka ndodhur, nuk është kjo ajo që dua të arrij me këtë letër të hapur.

Dua vetëm që pas 12 vitesh të gjata, të qartësoj pozitën time, të them versionin tim, në vend që ta dëgjoni nga të tjerë”, shkruante Miccoli./ h.ll/albeu.com