Tuchel: E merituam ne fitoren, Reali shënoi gol nga asgjëja

Chelsea mund të merrte edhe më shumë, por në fund u mjaftua më një barazim 1-1 në Madrid, përballë vendasve. Pas ndeshjes për mediet foli trajneri i londinezëve, Thomas Tuchel, i cili ishte i kënaqur me lojën në pjesën e parë qan rastet e humbura.

“E nisëm ndeshjen shumë mirë, kishim kurajë dhe cilësi. E merituam ta fitonim pjesën e parë, pasi i patëm rastet. Fatkeqësisht, ata shënuan nga një goditje standarde dhe nuk bënë asgjë tjetër më pas. Ne nuk u lejuam asnjë rast të pastër. Ishte rezultat zhgënjyes në fundin e pjesës së parë.

Duhet të qëndronim të qetë dhe të mos humbnim besimin. Pjesa e dytë ishte shumë taktike. Dukej qartë se ishim të lodhur. Kishim vetëm pak ditë për t’u rikuperuar nga një tjetër ndeshje e vështirë në transfertë, por duhet të jetojmë me këtë rezultat 1- 1. E merituam golin dhe duhet të kishim shënuar të paktën edhe një më shumë.

Pësuam gol pak a shumë nga asgjëja, por që është diçka që ndodh përballë lojtarëve me cilësi të mëdha. Do të përpiqemi që ta fitojmë ndeshjen e ardhshme. Tri ndryshimet e menjëhershme i bëra sepse e pashë skuadrën të lodhur. Në gjendje jo të mirë ishin edhe Azpilicueta, Pulisic e Timo Werner”, u shpreh Tuchel.


Shtuar 28.04.2021 10:40