Tre kartonë të kuq, shumë gabime dhe kaos – dënohet gjyqtari i ndeshjes Lazio-Milan

Gianluca Rocchi do t’i japë gjyqtarit Marco Di Bello një suspendim prej një muaji pas menaxhimit të dobët të ndeshjes së ‘egër’ ndërmjet Lazios dhe Milanit.

Gjyqtari 42-vjeçar dha nëntë kartonë të verdhë dhe tre të kuq gjatë ndeshjes së tensionuar në Stadio Olimpico të premten mbrëma, duke humbur kontrollin e lojës, e cila pa mbi 36 faulle të kryera gjatë 96 minutave.

Gazetat italiane kritikuan ashpër punën e gjyqtarit Di Bello, ku Corriere dello Sport madje i dha atij një vlerësim 3 nga 10, duke nënvizuar se si menaxhimi i dobët i ndeshjes i prishi procedurat dhe përfundimisht e njollosi përballjen.

Gazzetta dello Sport detajon se si Rocchi nuk u impresionua me punën e Di Bellos në humbjen 1-0 të Lazios ndaj Milanit, duke besuar se i vetmi vendim pozitiv ishte mungesa e penalltisë pas ndërhyrjes së Mike Maignan në Valentin Castellanos.

Rocchi mendoi se Di Bello bëri gabime kudo tjetër, duke përfshirë kartonët e kuq dhe menaxhimin e përgjithshëm të faulleve dhe emocioneve.

Si i tillë, ai tani pritet të pezullohet për një muaj apo më shumë, herën e dytë këtë sezon pas ndalimit të tij pas ndeshjes mes Juventusit dhe Bolognës në gusht. /Telegrafi/


Shtuar 2.03.2024 15:35