Tottenham po “vërtitet” për një trajner, Ten Haag rikthehet në prioritet

Pas shkarkimit të Jose Mourinhos dhe drejtimit përkohësisht nga Ryan Mason, Tottenham vijon të mbetet në kërkim të një trajneri, të cilit t’i besojë drejtimin e skuadrës për sezonin e ri, ku natyrisht do të kërkohet rikthimi në nivele të larta.

Presidenti i londinezëve, Daniel Levy negocioi për disa ditë në mënyrë intensive me ish trajnerin e Interit, Antonio Conten, por dështoi ta bindë të rikthehet në Londër, aty ku disa sezone më parë fitoi edhe titullin kampion me skuadrën e Chelseat.

Paga e lartë e pretenduar nga Conte dhe mbi të gjitha kërkesa për një merkato jashtë logjikës për kushtet e pandemisë, bënë që negociatat mes palëve të ndërpriteshin dhe tani drejtuesit e Tottenham të mendojnë për një tjetër trajner.

Emri që është rikthyer në skenë është ai i holandezit Eric Ten Haag, i cili drejton holandezët e Ajaxit dhe vetëm gjatë pranverës së këtij viti ka rinovuar kontratën me skuadrën nga Amsterdami.

Levy ka rivendosur kontaktet me menaxherët e holandezit dhe po negociojnë si për pagën, ashtu edhe projektin e klubit, megjithatë tani londinezët duhet të bëjnë llogaritë edhe me një dëmshpërblim që do të pretendojë Ajaxi për të lënë të lirë Ten Haag.

Mbetet ende e gjallë edhe pista për rikthimin e Maurizio Pochettinos, megjithatë shanset që kjo të ndodhë janë minimale dhe kryesisht në dorë të klubit të PSG-së me të cilin trajneri argjentinas është nën kontratë.

Vetëm nëse francezët vendosin të shkarkojnë Pochettinon, atëherë Levy është gati ta rikthejë në Londër, pasi në kushte të tjera është e pamundur ta shkëputë nga klubi francez ku u transferua në muajin janar.

Shtuar 6.06.2021 05:06