Top ylli i Milanit i thotë ‘po’ ofertës së Bayernit, por nuk ka marrëveshje mes dy klubeve

Ylli i Milanit, Theo Hernandez, ka dhënë aprovimin e tij për t’u bërë pjesë e Bayern Munichut këtë verë, por negociatat e vështira me Milanin mund të jenë një pengesë që ky transferim të realizohet.

Sipas asaj që raporton Mundo Deportivo, Theo do të pëlqente që t’i bashkohej Bayernit, por bavarezët do të kenë para vetes një mision të vështirë për të gjetur gjuhën e përbashkët me ‘Rossonerët’, ani pse klubi kuqezi e di qëllimin e lojtarit për t’u larguar.

Duke marrë parasysh se Theo ka kontratë deri në 2026, Milani do të kërkojë një shumë të majme parash për ta lejuar atë që të largohet.

Reprezentuesi francez ka disa oferta, por ajo e Bayernit i ka bërë përshtypje më së shumti.

Theo do të transferohej në Gjermani si zëvendësim i Alphonso Davies, i cili ende nuk e ka rinovuar kontratën me gjigantin gjerman teksa i ka mbetur edhe një sezon para se t’i skadojë.

Kanadezi ka vendosur që të nënshkruajë për Real Madridin me këta të fundit që tashmë kanë një pozitë më të fortë në negociata, por nuk duan të paguajnë më shumë se 50 milionë euro.

Theo ka shënuar pesë gola dhe ka dhuruar 10 asistime në 43 ndeshje për Milanin këtë sezon, gjë që ka bërë që për të të shprehin interesim klube të ndryshme si Manchester United, Chelsea e po ashtu edhe Al-Hilali nga Arabia Saudite./Telegrafi/


Shtuar 7.05.2024 17:56