Tirana “poker” Laçit, Kukësi dhe Teuta ndajnë pikët (VIDEO)

Janë mbyllur dy sfidat e fundit të javës së 22-të të Abissnet Superiores, të luajtura në “Air Albania” dhe “Loro Boriçi”.

Tirana është skuadra që arritën të dalë triumfuese 4-1 në duelin e ditës së sotme përballë Laçit, ndwrsa Kukësi-Teuta ndahen në barazim 1-1.

Bardheblutë e Orges Shehit bëjnë autokritikë për humbjen kundër Kastriotit një javë më parë, ndërsa në “Air Albania” mposhtin skuadrën e Laçit me rezultatin 4-1. Kurbinasit u ndëshkuan plot 4 herë në pjesën e parë dhe dukeshin krejtësisht në “gjumë” me sulmuesit e Tiranës që vallëzuan mes mbrojtësve të kurbinasve.

Në minutën e 5 do të ishte Redon Xhixha ai që do t’i hapte rrugë suksesit të kryeqytetasve, ndërsa në minutën e 19 do të ishte Filip Najdovski ia që do të tunde rrjetën e bardhezinjëve për herë të dytë.

Kryeqytetasin nuk mjaftohen me kaq, teksa në minutën e 28 do të ishte Taulant Seferi ai që do të vendoste edhe firmën e tij në këtë ndeshje, duke detyruar portierin Dajsinani të nxirrte për herë të 3-të topin nga porta e tij.

Në pjesën e parë do të kishte vend edhe për dopietën personale të ish-lojtarit të Laçit, me Xhixhen që nuk fal përpara portës së kurbinasve 43’.

4-0 për Tiranën që “çmonton” bardhezinjtë e Mirel Josës që në pjesën e parë. Në fillim të pjesës së dytë kurbinasit do të gjenin golin e parë me anë të një penalltie të shënuar në gol nga Julian Shehu 52’.

Minutat e mbetura djemtë e Josës kërkonin të ngushtonin edhe më shumë diferencën e golave por pa mundur të realizonin përballë një Tiranë që kishte mbyllur llogaritë e ndeshjes që në pjesën e parë të takimit.

Me këtë fitore Tirana shkon në kuotën e 49 pikëve, +6 nga kundërshtari i tyre Laçi, ndërsa për kurbinasit kjo ishte humbja e parë pas 11 ndeshjesh pa humbje.

Në takimin tjetër të zhvilluar në “Loro Boriçi” mes Kukësit dhe Teutës nuk kishte fitues, me skuadrat që e mbyllën në barazim 1-1 përballjen mes tyre.

Një ndeshje shumë e vakët në Shkodër që nuk kishte raste të pastra për shënim dhe do të duhej të vinte vetëm minuta e 77 për të parë edhe golin e parë të kësaj sfidë, me Rubin Hebaj që kalon në avantazh durrsakët e Renato Arapit.

Verilindorët do të barazonin shifrat vetëm pak minuta para se të mbyllej takimi mes tyre, me Basa që shpëton kështu Kukësin nga humbja.

1 pikë për të dyja skuadrat në “Loro Boriçi”, me Kukësin që ka grumbulluar 38 pikë në vendin e 3-të, -5 nga Laçi dhe -11 nga Tirana kryesuese, ndërkohë nga krahu tjetër Teuta ka 25 pikë në vendin e 5-të.

 


Shtuar 26.02.2022 18:50