Tirana dhe Shqipëria pritën për herë të parë një finale të një kompeticioni madhor europian të UEFA-s, siç ishte dhe finalja e Ligës së Konferencës, e cila u fitua nga Roma më 25 maj në stadiumin “AIR Albania” ku mposhtën Feynoord me rezultatin minimal 1-0.
Tifozët e të dyja skuadrave dhuruan spektakël si në stadium, por edhe në “Fan Zona” e tyre respektive në kryeqytetin shqiptar.
Por mesa duket tifozët holandezë janë “dashuruar” me Shqipërinë teksa jo vetëm në “Air Albania”, por edhe në stadiumin “Selman Stërmasi” kanë parë një ndeshje futbolli, aty ku luante Tirana dhe Kukësi, ku verilindorët triumfuan me rezultatin 2-3 dhe me bardheblutë që ngritën në qiellin e kryeqytetit trofeun e 26-të kampion në histori.
Holandezët kanë dhuruar “show” ku në shoqërinë e birrave dhe të tifozerisë së Tiranës kanë kënduar kore për skuadrën e tyre të zemrës, Fejnordit, ndonëse në fushë po luanin dy ekipe shqiptare. /panoramasport/