Thorgan Hazard: Italisë i ndalim serinë e fitoreve

Belgjika shkurorëzoi Portugalinë, pasi e mposhti me rezultatin minimal 1-0 në fazën e 1/8-ave dhe e nxori nga Europiani, teksa protagonist ishte pikërisht Thorgan Hazard, që shënoi golin e vetëm të ndeshjes me një goditje spektakolare nga distanca.

Në çerekfinale “djajtë e kuq” të Europës do të përballen me Italinë, një kundërshtar që Hazardi i vogël e vlerëson maksimalisht, por deklaron se ka ardhur koha që të ndërpresin serinë e rezultateve pozitive të Italisë.

“Ndaj Italisë do të jetë shumë e vështirë, pasi janë një skuadër e kompletuar, që nuk njeh humbje prej shumë kohësh, megjithatë mendoj se është koha t’ia ndërpresim këtë seri pozitive. Me Portugalinë mund të bënim më mirë, por nëse Lukaku shkon në thellësi, atëherë gjithçka bëhet më e lehtë për ne”, u shpreh Hazard.

E nëse Thorgan është i sigurt në formacion, vëllai i tij i madh, Eden është në dyshim, pasi pësoi një dëmtim muskulor ndaj Portugalisë dhe po lufton me kohën për t’u rikuperuar për përballjen ndaj Italisë të premten.

“Eden është mirë dhe po punon fort për t’u rikuperuar, pasi dëshiron me çdo kusht të luajë ndaj Italisë. Me të në fushë e kemi më të lehtë të mbajmë topin dhe bëhemi më të rrezikshëm përpara, ndaj shpresoj të rikuperohet, por edhe nëse nuk ia del, kemi futbollistë të tjerë që mund ta zëvendësojnë fare mirë”, tha Thorgan Hazard.


Shtuar 29.06.2021 18:40