Thomas Tuchel sqaron të ardhmen e Brojës

Thomas Tuchel, në një konferencë për media ka qartësuar planin e tij për të ardhmen për yllin shqiptar, Armando Broja, dhe për mesfushorin Conor Gallagher.

Aktualisht, Broja gjendet në huazim te skuadra e Southampton, ku edhe shkëlqeu përgjatë këtij sezoni duke bërë 38 paraqitje në të gjitha garat, dhe duke regjistruar nëntë gola dhe një asistim mbi emrin e tij.

Në krahasim me Brojën, Gallagher gjatë këtij sezoni ishte pjesë e Crystal Palace, ku në 37 paraqitje në të gjitha garat ka regjistruar tetë gola dhe pesë asistime mbi emrin e tij.

E ardhmja e dyshes në fjalë ka mbetur e paqartë me sanksionet drejt Chelseat, por tani trajneri Tuchel, e ka konfirmuar planin e tij për yllin shqiptar dhe mesfushorin anglez.

“Sigurisht, ata do të kthehen në klub dhe kjo është e qartë. Dua t’i kem ata në përgatitjet para-sezonale. Ne do të vendosim përgjatë ndeshjeve miqësore se çfarë do të bëhet. E gjitha është në dorën e Brojës dhe Gallagher, se çfarë paraqitje tregojnë ata”, tha Tuchel.

Para se të bashkoheshin në huazim te klubet e tyre aktuale, Armando Broja rinovoi kontratën e tij me Chelsean deri në vitin 2026, kurse Gallagher ka kontratë me “Blutë” e Londrës deri në qershor të vitit 2025.


Shtuar 18.05.2022 16:11