Shoqata Evropiane e Gjyqtarëve (EAJ) ka ngritur shqetësime serioze lidhur me zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe mënyrën e zbatimit të Vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, i cili trajton sistemin e pagave për gjyqtarët, prokurorët dhe punonjësit e gjykatave.
EAJ pohon se udhëzimet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese nuk janë vënë në zbatim. Ndërkohë, në Kuvend është depozituar një projektligj që synon rillogaritjen e pagave me efekt prapaveprues. Sipas shoqatës, kjo ndërhyrje do të shmangte pasojat juridike të vendimit kushtetues dhe do të cenonte natyrën e tij detyruese.
Të lidhura
None found
Në qëndrimin e saj, EAJ nënvizon se zbatimi real i vendimeve gjyqësore përbën një nga shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës. Për shkak të epërsisë së Kushtetutës, vendimet e gjykatave kushtetuese duhet të respektohen nga çdo autoritet publik.
Bordi i EAJ paralajmëron se situata e krijuar mund të dëmtojë shtetin e së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit dhe parimin e ndarjes së pushteteve, si edhe të dobësojë besimin te reformat e drejtësisë në Shqipëri.
Shoqata ka bërë të ditur se do të mbështesë Unionin e Gjyqtarëve të Shqipërisë, i cili është anëtar i saj. Çështja do të përfshihet gjithashtu në axhendën e Asamblesë së Përgjithshme që do të mbahet në tetor në Lisbonë, ndërsa për situatën do të njoftohen edhe aktorët evropianë dhe ndërkombëtarë.
