Situatë e tensionuar te Lazio për atë që ka të bëjë me merkaton e janarit.
Mbrëmjen e së dielës, pas humbjes ndaj Interit, Maurizio Sarri deklaroi se dy përforcime nuk i mjaftojnë kësaj skuadre.
Po kështu, e tha me plot gojën se shumë prej lojtarëve aktulë nuk i përshtaten idesë së tij për futbollin. Nga ana tjetër, Igli Tare foli për një merkato të bllokuar nga indeksi i likuiditetit dhe pamundësia për të kryer blerje të reja.
Sarri dhe Tare në këtë moment janë në mosmarrëveshje për disa pika. Për shembull, për kontraktimin e Kamenovic. Drejtori sportiv bardhekaltër do të donte ta bënte lojtarin në fjalë pjesë të ekipit të parë, por Sarri mendon se ai nuk është gati.
Trajneri nuk dëshiron ta zërë vendin me një lojtar që vështirë se do ta përdorë. Sarri nuk e pëlqen këtë qasje në merkato dhe për Taren, shkruan “Il Tempo”, këta mund të jenë muajt e fundit te bardhekaltrit.
Ndërkohë, presidenti Claudio Lotito është rikthyer në Romë pas pushimeve në Cortina dhe është gati të nënshkruajë rinovimin e kontratës së Sarrit deri në qershor të vitit 2025.